E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektet me grekët, më së shumti si flluska sapuni

27/01/2011  Pjesëmarrësit të zhgënjyer nga bashkëpunimi ndërkufitar, pala greke kërkon hapjen e disa zyrave

KORÇE- Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri- Greqi, ditën e mërkurë mbërriti në qytetin e Korçës një ekip i Maqedonisë Perëndimore të Greqisë, i kryesuar nga nënkryetari i këtij rajoni, Dhimitër Savopullos, me qëllim gjetjen e partnerëve në këtë rajon për realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e turizmit, kulturës dhe mjedisit, të cilat kishin qenë të përcaktuara paraprakisht, por që nga ana e palës greke propozimet për bashkëpunim u zgjeruan edhe në fushën e shëndetësisë, tregtisë dhe biznesit.

Takimi

Takimi u organizua në Këshillin e Qarkut Korçë, i cili kryesohej nga Kryetari i këtij Këshilli, Ilia Milo. Ballafaqimi i palëve u vlerësua i rëndësishëm, pasi deri më 8 mars të këtij viti duhet të jenë hartuar projekt- propozimet, të jenë gjetur partnerët e përbashkët dhe ndërkaq të ketë përfunduar dorëzimi i tyre. Rajoni i Korçës nga ky bashkëpunim përfiton rreth 4 milionë euro, por vetëm nëse projektet i miratohen, (dhe jo gjithnjë ka ndodhur kështu), ndërsa pala greke përfiton një fond prej 9 milionë e 200 mijë eurosh. Bashkëpunimi ndërkufitar për palën shqiptare përfshin qarqet e Korçës, të Gjirokastrës dhe të Vlorës, ndërsa për palën greke, rajonin e Maqedonisë Perëndimore dhe pjesën tjetër kufitare deri në Korfuz.

Zhgënjimi

Takimi në fjalë, ku merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, grupe të interesit, OJF dhe nga shoqëria civile, përgjithësisht pati një rrjedhë normale, por megjithatë u evidentuan edhe momente nervozizmi dhe pakënaqësie. Pati nga ata, që shprehën hapur zhgënjimin që kishin përjetuar nga bashkëpunimi ndërkufitar Shqipëri-Greqi. Sipas tyre, edhe pse nga pala greke për vite të tëra me radhë, projektet e bashkëpunimit i kishte prezantuar me pompozitet të madh, në të vërtetë gjithçka kishte përfunduar në një flluskë sapuni. Të paktën 5 vjet më parë, nga palët e interesuara të rajonit të Korçës ishin paraqitur së paku 25 projekte, nga të cilat ishin miratuar vetëm 13 projekte. Megjithatë, gjithnjë sipas pjesëmarrësve të zhgënjyer, miratim kishin gjetur vetëm projektet që nuk kishin pasur ndonjë rëndësi të veçantë për rajonin e Korçës, ndërsa ishin lënë jashtë miratimit projekte të mëdha. Madje jo vetëm kaq, për 13 projektet e miratuara ishin ofruar fonde të cunguara, jo të mjaftueshme, çka bënë që disa prej këtyre projekteve të miratuara të mos gjenin mundësi zbatimi as sot e kësaj dite. Nëse nga të zhgënjyerit, gjithçka u deklarua me tone të larta, pati edhe pjesëmarrës të tjerë që duke ruajtur etikën e komunikimit pohuan: “Në lidhje me miratimin e projekteve ka pasur gjithnjë probleme”. Pala greke, e gjendur përballë kësaj të vërtete të pamohueshme, e përmblodhi justifikimin e vet brenda kësaj shprehjeje: “Nuk na intereson çfarë është bërë deri më tani, por çfarëdo të bëjmë në vijim”.

Grekët, zyra në Korçë

Ndërkohë, ndërsa pala greke prezantonte aspektet e bashkëpunimit, të cilat mund të ishin projekte në fushën e turizmit, mjedisit, kulturës, shëndetësisë, tregtisë dhe biznesit, gjatë gjithë fjalës së tyre vunë në dukje domosdoshmërinë e hapjes së disa zyrave në qytetin e Korçës, që sipas tyre, kjo gjë do të sillte efikasitet në bashkëpunimin mes palëve. Zyrat që do të hapeshin do t’i vinin në ndihmë turizmit, kulturës bizantine të dy rajoneve, trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së monumenteve, por edhe aspekteve të tjera të përmendura më lart. Megjithatë, pala greke nuk përjashtoi as mundësinë që këto zyra mund të hapeshin edhe në rajonin e Maqedonisë Perëndimore të Greqisë. Gjithsesi, duke parë ecurinë e këtij bashkëpunimi ndërkufitar, ku siç u deklarua në këtë takim, kanë përfunduar në miratimin e projekteve të vogla, nuk përjashtohet mundësia që edhe kjo fazë e bashkëpunimit të përfundojë vetëm me hapjen e disa zyrave në qytetin e Korçës dhe asgjë më shumë se kaq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›