E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten me 10% pranimet në universitete

27/01/2011  Prioritet degët e shkencave teknike, natyrore, gjuhët e huaja, shkencat e jetës, ekonomia dhe administrimi

Për degët “e mbingopura” shtesa e kuotave të studimit do të jetë në nivele të ulëta

Pranimet në universitete për vitin e ardhshëm akademik do të shoqërohen me një rritje të kuotave për studime. Por nga kjo rritje nuk do të mund të përfitojnë të gjitha programet e fakulteteve publike. Shkak për këtë bëhen kapacitet e kufizuara që vetë fakultetet raportojnë për arsye të fluksit të lartë të pranimeve gjatë viteve të fundit.

Gjithashtu një tjetër prioritet në përcaktimin e rritjes së kuotave të pranimit mbetet edhe nevoja që kanë disa programe (më pak të kërkuara nga maturantët) për të shtuar pranimet, kërkesë e cila faktohet edhe nga tregu i punës. Konkretisht, për vitin e ardhshëm akademik 2011-2012 nga Ministria e Arsimit është parashikuar që rritja e mëtejshme e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik të vijojë me 10 për qind më shumë krahasuar me ndryshimet e bëra gjatë maturës 2010. Për këtë janë përcaktuar edhe drejtimet që do të përfitojnë nga këto shtesa.

Rritja e kuotave

Synimi për rritjen me 10 për qind më shumë të pranimeve do të prekë të tria ciklet e studimit. Megjithatë, sipas përcaktimeve të bëra nga Ministria e Arsimit, prioritet për të drejtat e studimit këtë vit do të kenë shkencat teknike, shkencat e natyrës, ekonomia dhe administrimi, shkencat e jetës dhe gjuhët e huaja. Për këto lloj profesionesh edhe tregu i punës raporton të ketë më shumë nevojë. Aktualisht fakultetet kanë filluar të detajojnë edhe propozimet në lidhje me kuotat e mundshme për vitin e ardhshëm akademik, që do të çelet në tetor, pas përmbylljes së maturës 2011. Pas përcaktimit të këtyre propozimeve do të jenë rektoratet e universiteteve që do të nisin drejt Ministrisë së Arsimit materialin përkatës, i cili më pas do t’i nënshtrohet procesit të miratimit. Burime zyrtare pranë dikasterit të arsimit kanë bërë me dije se për vitin akademik në të cilin ndodhemi në të gjitha ciklet e studimit janë pranuar rreth 50 mijë studentë.

Mbingopja

Rritja e kuotave do të ndihet më pak në degët që raportojnë një fluks të lartë kërkesash. Konkretisht, për këto degë gjatë viteve të fundit numri i kuotave të pranimit ka ardhur në rritje të vazhdueshme, ndërkohë që zgjerimi i kapacitete ka qenë në nivele të ulëta. Për shkak të kësaj situate edhe rritja e kuotave do të jetë e kushtëzuar. Sikundër ka ndodhur në vitet e shkuara, edhe për maturën e vitit 2011 Universiteti i Tiranës do të ketë numrin më të lartë të pranimeve, të shpërndara sipas programeve që do të ofrojnë tetë fakultet e tij. Pranimet në këtë institucion nuk pritet të shkojnë më shumë se propozimet e vitit të shkuar, përkatësisht me rreth 7 mijë të drejta studimi, të shpërndara sipas degëve përkatëse. Fakulteti i Drejtësisë dhe Ekonomiku do të kenë numrin më të lartë të të drejtave të studimit që do të ofrojnë për maturantët. Matura e këtij viti do të shoqërohet edhe me një sërë ndryshimesh, të cilat do të shoqërojnë zhvillimin e katër provimeve për dy lëndët e detyruara dhe dy lëndët me zgjedhje.

Shtesat

Sipas përcaktimeve të bëra nga dikasteri i arsimit, degët që do të kenë prioritet në rritjen e kuotave janë programet e shkencave teknike sipas ndarjeve përkatëse. Shtimi i kuotave do të shoqërohet edhe në degët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, për të cilat maturantët nuk shfaqin fluks kërkesash për studime. Pjesë e rritjes së kuotave do të jenë edhe degët si ekonomia dhe administrimi, shkencat e jetës si dhe gjuhët e huaja.

Gara për universitet

Pranimet në universitetet për vitin e ardhshëm akademik do të vënë në garë më shumë se 35 mijë maturantë në të gjithë vendin. Këta të fundit do të përfshihen në provimet e maturës shtetërore si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje. Bazuar në kuotat e pranimeve të miratuara në vitet e shkuara, nuk mendohet që këtë vit fakultetet publike të pranojnë më shumë sesa 22 mijë studentë të rinj të shpërndarë në të gjitha universitetet e vendit.

Detajimi i programeve

Pas analizës së zhvilluar mbi procesin e maturës së vitit të shkuar ekspertët kanë konfirmuar se të 10 degët universitare më të preferuara nga studentët gjenden në Universitetet e Tiranës, ndërsa prurjet më të mëdha të maturantëve vijnë nga Tirana dhe rrethi i Fierit. Ndërsa specialistë të APRIAL-it kanë treguar se ndër fakultet e preferuara vijojnë të mbeten Mjekësia, Ekonomiku, Drejtësia dhe degët e inxhinierisë pranë Universitetit Politeknik.

Matura 2011

Ndryshimet e bëra në maturën e vitit 2011 konfirmojnë se maturantët, nëse nuk kalojnë provën e provimeve me zgjedhje, krahas atyre të detyruara, nuk e kanë mbaruar shkollën e mesme e për rrjedhojë nuk do të lejohen të vijojnë procedurën për ndjekjen e studimeve të larta. Kësaj kategorie u hiqet edhe shansi i dytë për marrjen e provimeve gjatë vjeshtës. Për rrjedhojë, marrja e notave kaluese në katër provimet do të jetë kushti bazë për të vijuar garën për universitet.

Pjesëmarrja në provimet e maturës

Identifikimi i maturantëve nëpërmjet kodeve unike

Identifikimi i maturantëve në provimet me zgjedhje dhe ato të detyruara do të bëhet nëpërmjet kodeve. Edhe në maturën e këtij viti secili kandidat do të hyjë në provime me barkodin e tij. Këta numra identifikimi do të jenë unik dhe do të përcaktohen nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Barkodet do të jenë shifra numerike, të cilat do të dërgohen në shkolla në mbyllje të vitit mësimor, ndërsa nxënësit do të mësojnë numrin e tyre unik një ditë pas mbylljes së vitit shkollor 2010– 2011. Për të orientuar nxënësit në zgjedhjen e programeve të duhura në bazë të aftësive, do të zhvillohet procesi i këshillimit të karrierës. Ndërkohë në shkolla do të zhvillohen konsultimet sipas grafikëve të përcaktuar. Sikundër ndodhi edhe vitin e shkuar, për të gjitha lëndët që jepen në provimet e maturës shtetërore do të zhvillohen konsultimet përkatëse për orientimin e maturantëve. Për dy provimet e detyruara ka nisur procesi i zhvillimit të konsultimeve. Gjithashtu për këto dy provime është vendosur që ndërmjet datave të provimeve të zhvillohen një javë konsultime për të gjithë nxënësit bashkë. Ndërsa për lëndët me zgjedhje periudha e përgatitjes me mësuesit do të zhvillohet e grupuar sipas preferencave të përzgjedhura nga vetë maturantët. Gjatë kësaj faze mësuesit e lëndëve përkatëse do të orientojnë maturantët në lidhje me temat që duhet të mësojnë dhe që kanë peshën më të madhe të tezës së provimit. Kjo bazuar në programet orientuese që janë hartuar nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, që tashmë janë shpërndarë nëpër shkolla.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›