E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektet për ekonominë, infrastruktrën e menaxhimin

14/04/2011  Lulzim Basha në takimin e dytë me forumin e Tiranës

Në një takim të radhës me intelektualët e Tiranës, kandidati i PD për Tiranën ka dhënë pikat e programit të tij për drejtimin e kryeqytetit. Ndërsa ka marrë dhe propozime nga intelektualët për atë çfarë i mungon Tiranës. Gjithsesi sërish dje ka munguar konkurrenti Edi Rama.

Faleminderit zonja moderatore, të nderuar profesorë, zonja dhe zotërinj, të nderuar pjesëmarrës në këtë forum, është hera e dytë që unë vij këtu para jush dhe më lejoni edhe njëherë të shpreh ndjenjën e fortë të konvergimit, të ndaj vlera me ju, vlera që nisin nga filozofia e debatit konstruktiv, apo një dialogu konstruktiv, një dialogu të munguar, por të domosdoshëm për të projektuar të ardhmen e qytetit tonë. Një dialog që unë e kam filluar në nisje të fushatës, me kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarët për probleme, shqetësime, kërkesat e të cilëve padyshim përbëjnë interesin e drejtpërdrejtë të tyre, dhe një zgjidhje për përqasje, platforma, programe. Natyrisht ju këtu jeni si qytetarë të Tiranës, por nuk keni të zgjedhur me votë demokratike nga qyteti i Tiranës dhe ajo që më bën të ndihem jo vetëm i privilegjuar, por dhe me një përgjegjshmëri të madhe përpara këtij paneli të nderuar, është për faktin se përveç problemeve dhe shqetësimeve që ju ndani me të gjithë qytetarët e tjerë të Tiranës, të zhveshur siç jeni nga konflikti i interesit, por të armatosur siç keni provuar në dekada në shërbim të artit, shkencës, kulturës dhe disiplinave të ndryshme profesionale, përbëni pa dyshim një zë që duhet dëgjuar. Konstatoj me keqardhje, gjithashtu, se ka jo vetëm një indiferencë për të dëgjuar këtë zë, por ka dhe një përpjekje gjithmonë e më diabolike, për ta mbytur zërin e interesit, të zhveshur nga konflikti i interesit të qytetarëve, dhe kjo përpjekje vjen si rezultat e asaj që unë e quaj llogorizimin e politikës, dhe quajtja herezi e gjithçkaje që del jashtë këtyre llogoreve, e them këtë jo pa qëllim, pa ndjenjë kompleksi, por të jeni të bindur se hapi më i rëndësishëm që kam marrë në nismë të kësaj fushate, është hapi i parë jashtë llogores politike, dhe një hap i tillë nuk do të thotë që zgjidhjet dhe përqasjet që unë ofroj, që padyshim duhet të jenë objekt i këtij debati dhe shumë debateve të tjerë, sepse nuk është një platformë e mbyllur, një zgjidhje përfundimtare magjike, që unë po ofroj për qytetin, por është një konceptim i marrëdhënies së bashkisë me qytetarët, një rikonceptim i marrëdhënies së kryetarit të bashkisë me Tiranën dhe me qytetarët e saj. Në këtë përpjekje, unë kam nevojë akute të dëgjoj zërin e qytetarit të patransformuar, të parecensuar, të paprekur nga vulgu i interesit të ngushtë, por natyrisht përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit, siç jeni edhe ju sot. Takimi i parë ishte frymëzues për mua, në këtë takim vij me një ndjenjë të madhe përgjegjshmërie, por dhe kurioziteti, nëse dialogu ynë do të arrijë vërtet të çojë përpara atë çfarë ju i keni vënë vetes si qëllim dhe që unë vij ta marr te ju. Evidentimi nëpërmjet të vërtetës të interesit më të mirë të qytetit tonë, të qytetarëve tonë, dhe perspektivës afatgjate të Tiranës. ....

Adrian Civici:

Mjafton që të shikosh ueb-site e bashkive të qyteteve në botë, jo më të kryeqyteteve menjëherë konstatojmë se 70-80% e informacionit që gjendet atje është informacion ekonomik, financiar, punësimi, mirëqenie, apo niveli jetese. Është shumë pozitive që në zgjedhjet lokale në Shqipëri, qoftë për bashkitë, qoftë për komunat, përmendet si aks kryesor, roli i qytetit si organizëm ekonomik dhe për herë të parë, jo në një fushatë të përgjithshme politike, por të zgjedhjeve lokale, të artikulohet çështja e punësimit, mbështetjes së biznesit, qytetarit, etj., Do të doja t’i shtroja një pyetje z. Basha, duke pasur parasysh buxhetin që ka në dorë bashkia dhe fondet e tjera, që mund të mobilizohen, a ka ndonjë argumentim apo ndonjë llogaritje, që 30 mijë vende pune gjatë një periudhe disavjeçare, si do mbështeten direkt apo indirekt me financimet e nevojshme, për të qenë i sigurt që këto vende pune do hapen dhe do jenë të qëndrueshme në hapjen e tyre, jo thjesht të përkohshme të lidhura me disa projekte, qofshin këto edhe amatore?

Basha:

Duhet të heq që në fillim përshtypjen se mund të bëhet fjalë për një përqasje statiste apo centraliste dhe bashkia do të jetë drejtpërdrejt përgjegjëse për përhapjen e këtyre 30 mijë vendeve të punës. Ajo nuk do t’i hapë vetë këto vende pune, por ajo ka të gjithë mekanizmat, mundësitë, nëse përqendron vëmendjen e saj, ashtu sikurse dhe prof.Civici tha për bashkitë e vendeve të tjera, ndërkohë që këtu nuk figuron në listën e prioriteteve, që nëpërmjet politikave nxitëse dhe partneritetit në biznes dhe punëve publike, të nxisë rritjen e qëndrueshme të shanseve të punësimit dhe reduktimin e qëndrueshëm të papunësisë në Tiranë. Unë për këtë kam një plan konkret, që nis muajin e parë, brenda 31 majit; heqjen e 60 taksave, reduktimin e çdo tarife tjetër të domosdoshme, sipas parimit të ndalimit në një sportel me një mijë lekë të vjetra për çdo biznes të vogël, të mesëm apo të madh dhe uljen e taksave ekzistuese 2-5 herë, duke hequr disa prej tyre, si taksa e gjelbërimit, e tabelës dhe duke shtuar një sasi absolute parash në xhepat e bizneseve të vogla, të mesme të Tiranes, prej 1.2 miliardë, ndërkohë që harxhimet e biznesit shkojnë përtej kësaj dhe këtu vjen pjesa e dytë, e cila ka të bëjë me performancën e bashkisë në ofrimin e shërbimit që sot mungon, apo është i reduktuar, pak rëndësi ka, kosto të fshehura dje në një nga zonat industriale të vjetra të Tiranës dhe pavarësisht bizneseve 15- 20 vjeçare të reja të kësaj zone, mbetjet e vjetra në çdo aspekt, rrugë të pashtruara, plehra, mungesë transporti urban....u informova se vetëm për një punonjës, drejtues biznesi, duhet të paguante 4 mijë deri në 6 mijë lekë kosto transporti, ndërkohë që biznesi mund të ketë 250 punonjës. Kjo përkthehet në një investim, kur bashkia e ofron këtë shërbim dhe nuk ka pse ta paguajë biznesi. Kjo përkthehet në paga më të larta, në cilësi më të lartë shërbimi. Mora një shembull të vetëm, por sipas kostove mesatare të vendeve të punës, marrim koston aktuale. Ne si bashki jemi në gjendje brenda një viti të gjenerojmë 4 mijë vende të reja pune, nëpërmjet biznesit të vogël. Kjo platformë do të vihet në funksion në muajt e parë të mandatit. Që do të thotë se brenda muajit maj, kjo reformë fiskale do jetë realitet. Së dyti, fondi i garancive do të kërkojë një herë të vetme, nëse do të operojmë me fondin 2 milionë, ndarjen e afërsisht 5 për qind të buxhetit aktual, 2.5 për qind të buxhetit të projektuar me një rimenaxhim të mbledhjes fiskale, në funksion të rritjes të biznesit, ndërkohë që kreditimi do të kapë një vlerë minimale prej 20 milionë euro. Duke iu referuar praktikave standarte të kostove të punës, i bien 6 mijë vende të reja pune. Kjo është një platformë, nuk vihet në funksion brenda muajit të parë, do të bëhet brenda këtij viti me pak sforco. Jam i bindur që me disiplinë fiskale, me një miratim nga Këshilli Bashkiak, brenda muajit korrik, ne kalojmë në 2 milionë euro në fondin e kredive, sipas kritereve të përdorura në të gjitha bashkitë europiane. Edhe këtë e konsideroj një lëvizje afatshkurtër dhe afatmesme, në mënyrë që Tirana të ndërtojë një sistem dinamik, duhet të heqim dorë në sistemin e Tiranës, ku njerëzit hanë, flenë dhe bëjnë dush. Do ta mbys konceptin e Tiranës urbane, kemi nevojë t’i japim kësaj bashkie hapësira për biznesin: për biznesin aktual, lënies pas dore të periferisë, deformimin e shpërndarjes së tregtisë, me dy dyqane buke dhe katër njësi, si dhe riformatimin e hapësirës së biznesit ekzistues, nëpërmjet një plani stimulues për një konkurrencë të ndershme që biznesi të rritet. Ne nuk mund të heqim dorë, bashkia më e madhe nuk mund të heqë dorë kaq lehtë nga vënia e hapësirave në dispozicion të koncepteve të guximshme, si parqe industriale, të teknologjisë së informacionit, apo përmirësimin e atyre ekzistuese. Sot këto parqe kanë hemorragji. Sot bizneset shkojnë drejt periferisë të Tiranës, ku taksat janë 6-8 herë më të ulta dhe shërbimet janë të plota. Zhvendosen dhe një pjesë e të punësuarve që vjen si një kosto për ta dhe qytetin. Ne do konkurrojmë jo vetëm me komunat dhe bashkitë fqinje, por edhe me kryeqendrat dhe qytetet e tjera europianë. Këtu janë të përqendruar mijëra studentë e pedagogë, kjo është kryeqendra e kombit, ne nuk mund të lejojmë që ky territor të humb shanset. Duhet t’i japim frymëmarrje, hapja e parqeve, rivitalizimi i objekteve shtetërore, ne do të kemi ambicien për të arritur në një miliard euro investime të huaja, me një numër shumë më të madh vendesh pune. Por për këtë, duhet të vëmë në funksion të kësaj filozofie, ashtu si duhet të refuzojmë përqasje segmentare, ashtu duhet të mendojmë për bizneset e shkollat. Ju siguroj se përqasjen tonë, do ta ketë biznesi dhe hapësira për investimet në këto parqe me infrastrukturë të plotë, rrugë, ndriçim, ujë. Në këto zona, kostoja e transportit është 3-4 fish më e lartë, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Pra platforma ime është fare konkrete, 15-16 mijë vende pune nëpërmjet nisjes së menjëhershme të infrastrukturës moderne europiane dhe mbi 10 mijë vende pune, të realizuara sipas uljes së taksave dhe ndryshimit të përqindjeve të kredive. Ajo që do të jetë vendimtare, është se do ta bëjë një nga qytetet më atraktivë për investime.

Profesor Dhori Kule

Të nderuar pjesëmarrës, ju dhe ata që kanë mundësi të na ndjekin sot. Unë kam kënaqësinë të konstatoj një fakt. Pas takimit të parë, ’Iniciativa për Tiranën’ e ndërmarrë nga ne, konfirmoi suksesin e saj. Pra ky fakt që ne ballafaqojmë, u kërkojmë kandidatëve dhe i pyesim ata me përgjegjësinë e tyre përballë qytetarëve, të konfirmojnë se çfarë kanë mundësi të bëjnë. Mua më vjen mirë, nuk kam pyetje. I uroj që këtë premtim ta mbajë dhe do të më ketë kërkues të vazhdueshëm, për realizim e tij.

Zoti Basha

Faleminderit për parashtrimin tuaj profesor Kule. Ajo që thatë ju është pikëtakimi i kërkesave të hershme të botës universitare dhe rolit që duhet të marrë bashkia, për t’i realizuar këto kërkesa në qytetin tonë. Unë e konsideroj një marrëdhënie në kuptimin më letrar të fjalës. Ku secila palë merr dhe jep, dhe prandaj përtej të qenit një platformë që t’i shërbejë interesave të universitetit, nuk është një miklim elektoral për universitetin. Në bindjen time më të thellë është interesi më i mirë i qytetarëve të Tiranës.

Kemi 80 mijë studentë e së shpejti do të bëhen 100 mijë. Kemi 6 mijë pedagogë, është privilegj i jashtëzakonshëm. Nëse prof. Civici tha se në faqet e bashkive të vendeve të Bashkimit Europian, 70-80 për qind zë informacioni ekonomik, unë besoj se, ka ndonjë që nuk bie dakord me mua, është një nga shifrat e para që mburret një qytet apo komunitet i tij. Është numri i studentëve dhe institucioneve akademikë që ka qyteti.

Ka qytete të tërë që kanë lindur dhe janë zhvilluar sepse në bërthamë kanë pasur një univers akademik, një universitet. Madje janë bërë të njohur nga emri i institutit më shumë se emri i qytetit. Pra cili është interesi i qytetit? Të marrë maksimumin e mundshëm ditë për ditë nëpërmjet 8 mijë konsumatorëve. Javë për javë e muaj për muaj nëpërmjet 86 anëtarëve aktualë e potencialë më të edukuar të tregut të punës dhe të ketë mundësi të reja në zhvillimin ekonomik,në zhvillimin kulturor, zhvillimin arsimor dhe në vendosjen në hartë qytetit të Tiranës si qendër e fuqishme e mendimit profesional intelektual. Por për këto investime duhet të ketë një bashkëpunim. Cili është ky bashkëpunim?

Prioritare në platformën time është nxitja e arsimit profesional. Arsimi profesional është një nga pikat më kyçe afatmesme e afatgjata të zhvillimit ekonomik dhe të rritjes së shanseve të punësimit në qytetin e Tiranës. Prandaj Bashkia do të mbështesë drejtpërsëdrejti qoftë edhe me instrumente jo të drejtpërdrejtë arsimin profesional në Tiranë. Do të bëj këtë si një interes esencial të qytetit, në zhvillimin ekonomik të qytetit. Për shembull, nëse kemi iniciativa për arsimin profesional të mesëm, për profesione të caktuara, të cilat të kombinuara me strategjinë e zhvillimit të bizneseve në tiranë martojnë kërkesën rajonale apo europiane për vendosjen në tiranë të një investimi, i cili merr avantazhet e krahut të lirë të punës dhe mendon se qytetit tonë në raport me tregun europian duhet që ne do të investojmë, do të ndihmojmë financiarisht në fuqizimin e trajnimin e këtij specialiteti. Qoftë ky ndërtim hardëare apo softëare, qoftë industri tekstili apo një tjetër industri, e cila duket aktualisht operative në Shqipëri apo për të cilin keni të gjitha informacionet se kërkohet që të vendoset në Shqipëri : thithja e kapitali të huaj, thithja e investimit të huaj kërkon që ne të bëjmë pjesën tonë. Nuk mund të rrimë më me sytë nga qielli e të presim çfarë kapitali bie këtu e pastaj të ndërtojmë me të gjitha energjitë tona. Duhet t’u paraprijmë dhe e vetmja mënyrë për t’u paraprirë është investimi tek arsimi profesional. Por jo vetëm kaq. Nëse aktualisht ne evidentojmë një numër në rritje fjala bie të specialistëve të diplomuar në degët e teknologjisë së informacionit në tregun e punës të cilët kanë prerogativat më të mira për punësim atëherë duhet të shtojmë, shumëfishojmë mundësitë e këtyre por edhe mundësitë e të tjerëve për tu specializuar në këtë fushë dhe të koordinojmë veprimtarinë tonë me biznesin në mënyrë që edhe ne të përfitojmë proporcionalisht pse jo edhe më shumëse kaq nga trended globale edhe europiane të zhvillimit ët ekonomisë në vend, çka sot po ndodh por nuk ndodh rëndom dhe vetëm si rezultat iniciativës të disa sipërmarrësve të Tiranës. Ku është roli i Bashkisë si përfaqësues i qytetarëve këtu?

Prandaj besoj se jo vetëm që ka hapësirë por ka një domosdoshmëri akute të bashkërendimit të punës midis universiteteve, biznesit dhe baskisë. Dhe bashkia do të marrë në dorë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë dhe që më në fund ky potencial i jashtëzakonshëm kjo energji e jashtëzakonshme të energjive plotësisht me planet tona të zhvillimit ekonomik afatgjatë të qytetit të Tiranës.

Henri Çili

Jemi në fushatë elektorale dhe ata që janë më të dyshuarit janë pikërisht politikanët dhe janë ata, që kanë nevojë për të marrë besimin e publikut. A mund të depozitoni ju sot publikisht, premtimin tuaj, ose qëndrimin tuaj, në lidhje me këtë çështje shumë të ndjeshme, që ka debate për qytetin e Tiranës. Një pyetje ka të bëjë me qartësinë e planit urbanistik. Çfarë do të bëni me klientelën tuaj, që njihet qartësisht si klientela e Bashkisë aktuale të Tiranës, në lidhje me industrinë e ndërtimit. Çfarë do të bëni me disa pika të ndjeshme, të cilat janë të debatuara, sidomos nga aktivistët e çështjes së qytetit. Liqeni, ose disa raste të tjera, dhe pse duhet t’ju besojë publiku, pse duhet t’ju besojë votuesi, kur kemi pasur një lumë premtimesh të mëparshme, kemi pasur afate për planin urbanistik, kemi pasur parime të deklamuara, kur në lidhje me raportin e interesit publik dhe atij privat në qytet?

Lulzim Basha

Me anë të ekspertëve që kam marrë, keni mundësinë të shikoni të afishuar në ekranet përballë, fare shkurt, anën grafike të vizionit të ekipit tonë për Tiranën moderne, europiane. Po, do të ketë një plan të ri urbanistik. Kjo nuk do të thotë që të gjitha vlerat e akumuluara në vite do të flaken tutje. Absolutisht jo. Por pikënisja e këtij plani do të jetë një iniciativë e shëndoshë dhe para se ky plan të vendosë kullat, ndërtimet pjesore, koeficientët e lartë të zhvillimit të hapësirave të privatizuara rishtazi, do të vendosim njohjen e interesit qytetar. Kjo njohje fillon me hapësirën e madhe, me një plan metropolitan të Tiranës, përfshirë bashkitë dhe komunat përreth, që ka në qendër zhvillimin e qytetit, sipas konceptit të Tiranës policentrike. Të një Tiranë që ka mjaftueshëm hapësira të gjelbra, jo vetëm parkun, por edhe dy parqe të tjera të ndërtuara në bashkëpunim me autoritetet lokale përkatëse. Një korridor të gjelbër të lumit të Tiranës. i cili thith elementë të gjelbërimit dhe depërton në të gjithë qytetin, duke i dhënë fizionominë e nevojshme për një jetë cilësore e të shëndetshme. Zonat policentrike të qytetit janë zona të cilat duhet të zhvillohen sipas filozofisë që shpreha më parë. të lagjeve ku çdokush konkurron për të marrë lejen e ndërtimit të një pallati shumëkatësh.

Nëse mendohet se në territorin e dikujt mund të ndërtohet pallat dhe në territorin e dikujt tjetër mund të ndërtohet kopësht çerdhe shkolla apo një park i vogël apo fushë sporti formula e rifitimit të këtyre hapësirave publike për të cilat ne kemi nevojë të domosdoshme nuk do i lëmë pronarët me gisht në gojë por do bëjmë një shpërndarje jo të barabartë në bazë të vlerës së pronës së tyre private nëpërmes transferimit të së drejtës së zhvillmit, jo vetëm brenda asaj lagjeje, atij kuadrati

pro brenda të gjithë territorit të qytetit.

Territor i cili do të marrë vlera të shumëfishta pikërisht në sajë të iniciativave të tilla të krijimin e hapësirave të gjelbra, korridoreve rekreative, duke bërë të mundur që edhe ndërtuesi ky partner i padiskutueshëm i zhvillimit të qytetit të ketë mundësi të japë kontributin e tij jo vetëm nëpërmjet punësimit por edhe ndërtimit të veprave pubike , por ta bëjë jo duke rënduar përreth jo duke rendur për të gllabëruar apo masakruar hapësirat e gjelbra që kanë mbetur por duke ndihmuar në krijimin e hapësirave të reja. Po kështu do të rivlerësojnë territore që sot kanë vlera fare të ulta apo koeficentë fare interesantë të përdorimit. Plani Urban do të ketë në qendër një sistem inrastrukturor modern, i cili do të bazohet pikë së pari mbi ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës si mekanizmi kryesor me të cilin do të lidhen arteriet e tjera kapilare të qytetit, krijimin e hapësirave rekreative që janë të mundur nëpërmjet investimit privat e publik. Do të jetë në qendër në sistem tramvai, jo vetëm si simbol i qytetit, por si mënyra eficente për një linjë të dedikuar që lehtëson trafikun. Në konceptin tonë kjo infrakstrukturë e transportit publik jo vetëm që do të përballojë nevojat aktuale por do përgatisë edhe për nevojat e mëvonshme.

Di të them që unë jam i përkushtuar për decentralizimin. Dua të them se, nëse mungesa e një konsensusi sot midis kryetarit të minibashkive të majtë e të djathtë ka sakatosur qytetin, ka mbi 12 mijë kërkesa qytetarësh që kanë nevojë për ndërhyrjen në apartamentet apo ndërtesat e tyre, që nga çatia që rrjedh, te hapja e një dritareje apo muri që ka rënë. Këto përplasen në muret e bashkisë qendrore dhe ky është absurdi i parë dhe shumica prej këtyre kërkesave nuk marrin përgjigje dhe ky është absurdi i dytë. Absurdi i tretë është se shumica e tyre kryefamiljarë kemi ndërhyrje të pakontrolluara, i bie që të kemi më shumë se 4 apo 5 ndërhyrje në këtë qytet, që reflektohen në fizionominë e qytetit, që mund të sjellin probleme në integritetin e një lagjeje me mijëra banorë dhe këtu vijmë te absurdi i fundit. Ideja e kontrollit ka marrë fund. Decentralizimi i këtyre problemeve te minibashkitë të cilat do të kenë edhe përgjegjësinë për të zgjidhur një problem të tillë nëpërmjet decentralizimit të policisë bashkiake dhe bashkia duhet të kontrollojë nga qendra e ekzekutimit e këtyre kompetencave të decentralizuara. Kështu duhet bërë dhe kështu bëhet kudo. E vetmja gjë që na ndal është mungesa e vullnetit për decentralizim nga ana e drejtuesve të bashkisë dhe është tregues i një vizioni të shtrembëruar mbi rolin e kryebashkiakut. Këtu nuk jam për të bërë kritika të asaj që kemi përjetuar, por jam për të shpalosur si e shoh të ardhmen. Prandaj ju them se decentralizimi nuk është një premtim elektoral, por është gur themeli për mandatin tim të ardhshëm dhe decentralizimi do të ndiqet që të bëhet, derisa çdo qytetar i Tiranës të ketë akses në shërbimet që ofron bashkia.

Kaçani: Unë do të flas në emër të institucionit, universitetit politeknik. Ky institucion është institucioni me staf më të kualifikuar. Zoti Basha, Tirana është kjo që është, ju me vizionin tuaj krijuat në mendjen e gjithsecilit të mendojë se si do jetë Tirana e ardhshme. Do të vlerësoja planin e ri të Bashkisë së Tiranës, që mos të ketë vetëm një qendër po të jetë policentrike, pra është një vizion që përshtatet me idenë që kanë të gjitha kryeqytetet dhe qytetet e mëdha në botë. Përshëndes problemin e transportit, përcaktimin e akseve kryesore, të cilat do ta lehtësojnë këtë Tiranë në një vizion afatgjatë. Ne në Tiranë nuk kemi një plan urban. Unë ju shpreh gatishmërinë e universitetit që ne në të gjitha fushat, në arkitekturë, në teknologji, në ujësjellës. Trajtimi i ujërave të zeza është një tjetër problem.

Çashku: Unë do të thoja që në këtë situatë që po kalojmë vë re se po i sugjerohet shoqërisë një fjalorë i ri, që ka të bëjë me disa terma që vërtet i kanë munguar dialogut shoqëror në Shqipëri. Si për shembull termat Referendum, Monopol, janë gati-gati sikur vijnë nga një botë tjetër, kjo tendencë për të përdorur një fjalor të ri e largon disi nga rrethi vicioz atë që ne e kemi përkufizuar si një klasë politike. Unë mendoj se duhet marrë masa ndaj asaj që ne e quajmë Mafia, e cila është e lidhur me politikën dhe juve në këtë mes i vini vetes një përgjegjësi qytetare, kur qëndroni përballë kësaj organizate të fuqishme e cila është totalisht e lidhur me politikën. Disa shenja që shfaqni të një pavarësie, mendoj se janë shenja që shkojnë në drejtim të kulturës qytetare, një term që ju e keni vjedhur për fushatën, kështu që do të doja vërtet që në vazhdim kjo persistencë të jetë pjesë e të gjithë fushatës që po ndiqni dhe kjo do të jetë një shërbim shumë i madh për kulturën qytetare.

Basha: Kjo është fusha juaj dhe nëpërmjet saj ju kam njohur personalisht, 20 vjet më parë kemi qenë në Komitetin e Helsinkit, nuk kanë qenë kohëra të lehta, si ia dilnim përballë në ato sfida që pasiguria e kishte bërë më agresive. Ne ia arritëm sepse ne besonim. Kjo qe mundësia jonë, sepse ne kemi dinjitetin njerëzor. Si do e përballojmë kësaj radhe. Tani kemi të bëjmë me interesa shumë të fuqishme, interesa që kanë prekur ëndrrën 1 milionë, 10 milionë 100 milionë brenda pak kohe dhe kanë rritur interesat. Por do ta përballojmë. Prandaj sot vij këtu të përballim mendimet, por dhe të lidh sot me ju dhe të lidh një pakt që mos ta lëmë njëri-tjetrin vetëm kur të bjerë kambana e interesit dhe kambana po bie. Sa herë që diskutojmë një shkollë të re, një park të ri, sa herë që mundësia e pasurimit të një grupi të veçantë njerëzish të jetë më e prekshme. Por ka një mekanizëm të fuqishëm që është demokracia, duke e mandatuar me votë qytetare një përqasje të re, një lloj të ri menaxhimi, një lloj të ri kryebashkiaku, kjo është koraca më e fortë për t’i bërë ballë interesave fluide afatshkurta që ha ditë përditë nga e ardhmja jonë afatgjatë. Dhe prandaj jam i bindur, pasi kam vënë veten time në dispozicion të kësaj beteje dhe vetëm kësaj beteje dhe asgjëje tjetër, se ajo që na ka mbetur sot i qëndron kohës, këtij muaji elektoral dhe jam i bindur që do të qëndrojë, dhe atëherë unë do të mendoj se do ia dalim mbanë.

Kapexhiu: Është një thënie botërore: “Kur mbreti bie nga vakti, të parin fare nga puna heq lolon” dhe pikërisht lolon, atë të shkretin që e bënte për të qeshur. Unë po shoh se ju në këtë fushatë gërshërët i keni hedhur dhe keni marrë garuzhden dhe kjo më pëlqen shumë. Por do të doja t’ju pyes shumë shkurt për artin dhe kulturën. Ju, në Bashkinë e Tiranës, do të përdorni garuzhden apo ndonjë lugë kafeje?

Basha: Ka mundësi të shumta për të mbështetur artin, duke dedikuar burimet e nevojshme financiare, por edhe duke gjeneruar edhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka qyteti edhe ekonomia e qytetit. Dhe unë kam ndërmend t’i gërshetoj të dyja. Së pari, duke dhënë shembullin personal. Bashkia duhet t’i japë hapësirat e nevojshme artit, hapësira të cilat ekzistojnë por që kanë rënë pre e atyre interesave që u përmendën më parë. Interesa të cilat kanë gozhduar akademitë, muzetë, teatrot dhe sa herë që vjen fushata ata që i kanë shkatërruar estradat, fillojnë e i bëjnë ato në mes të qytetit. Kjo është për të qeshur, bashkia duhet të mbajë përgjegjësitë e veta. Nëpërmjet themelimit, financimit dhe mbështetjes të hapësirave të artit, nga galeritë e artit pamor deri tek teatrot pse jo dhe komedive, te mbështetja e drejtpërdrejtë tek ato institucione që sot janë arsyeja e vetme edhe pse deri më sot kanë ekzistuar pa asnjë grosh nga bashkia. Së dyti, duke gërshetuar mundësitë që ofron partneriteti me botën e biznesit, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne do të evidentojmë ato perla të artit tonë, që nga përvoja e shquar filarmonike tek artistët e rinj dhe të talentuar deri tek ata legjendarë të artit tonë pamor. Do ta vendosim artin afër qytetarit. Duke financuar drejtpërsëdrejti vendosjen e veprave të artit në ambientet e Tiranës ekzistuese dhe të reja. Duke bërë të mundur që jo vetëm taksapaguesit e Tiranës të mbështesin këta artistë, por të marrë për çdo qindarkë që paguan kënaqësi, frymëzimin dhe emancipimin e domosdoshëm për të çarë përpara në jetë që sjell arti. Dhe po kështu do të mbështesim me financime të drejtpërdrejta emrat e mëdhenj të artit dhe shpresat e reja të artit në qytetin e Tiranës, nëpërmjet një financimi të drejtpërdrejt nën patronazhin e Kryetarit. Natyrisht me paratë e kryetarit të Tiranës. Pjesa e buxhetit për artin është simbolik, do të shumëfishohet dhe do t’i bashkëngjitet folderëve të tjera të cilat bashkia do të stimulojë nëpërmjet një partneriteti luajal me bizneset e Tiranës. Dhe në këtë mënyrë jam i sigurt se ashtu siç do të mbështesim artin dhe artistët, ashtu do të nxisim edhe më tej qytetarin e mrekullueshëm të këtij qyteti, duke e stimuluar atë për të mbështetur artin dhe artistët. Një moment i veçantë do t’i kushtohet edhe artit me të cilin janë duke u marrë brezat e rinj. Dhe për investime fare simbolike nuk u jepet mundësia e prodhimit, e ekspozimit, e shumëfishimit të veprave të tyre. Audio video të artit pamor, artit performues etj. Unë natyrisht jam në tërësi një spektator i artit, jo artist, por të jeni i sigurt që do të jem një mbështetës i fortë i artit si treguesi më afatgjatë i cilësisë së jetës në qytetin tonë.

Isuf Kalo : Për fat të keq Tirana është një qytet që i sëmur qytetarët e saj dhe është një qytet që i shpëton jetën të sëmurëve të saj. Unë mendoj kur them këtë gjë se është koha dhe është urgjente që të shpëtosh qytetin e Tiranës...

Pra, në radhë të parë një ndërveprim intersektorial, pra një bashkëveprim për zhvillimin e shëndetit. Dhe së dyti, zgjimin e potencialit të qytetarëve, pasi shëndeti nuk mund të jetë vetëm detyrë vetëm e qeverisë apo e bashkisë, as i bluzave të bardha, por ai duhet të jetë produkt i çdo qytetari, i çdo grupi komuniteti, të cilët duhet të marrin pjesë për të prodhuar shëndet dhe për të ruajtur shëndetin e tyre dhe të të tjerëve.

Basha: Unë e shoh çështjen e shëndetësisë, siç thatë edhe ju, ngushtësisht të lidhur me bashkinë në dy plane së pari: në planin profilaktik parandalues, dhe së dyti me partneritetin me institucionet sektoriale dhe ndërsektoriale për të promovuar shëndetin e qytetarëve. Ajri i ndotur, cilësia e madhe konsumit, uji i pijshëm dhe ujërat e zeza, mbetjet dhe trajtimi i tyre, si dhe infrastruktura aktuale shëndetësore, janë çështjet kryesore dhe mendoj se të paktën brenda një kohe të shkurtër të normalizojmë parametrat që ndikojnë në pritshmërinë e jetëgjatësisë së qytetarëve të Tiranës, të pasur apo të varfër, pasi jeta është e shtrenjtë për të gjithë. Në kuadër të kësaj përqasjeje, është e domosdoshme krijimi i hapësirave për një Tiranë të shëndetshme me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve, në krijimin e hapësirave të gjelbra, në krijimin e pistave të çiklistëve, si dhe në pjesëmarrjen e bashkisë si partnere në skemën e kujdesit parësor dhe spitalor. Nuk jam aspak i kënaqur, pasi kam pasur mundësi të vizitoj urgjencën e Tiranës dhe nuk jam i kënaqur as për vendndodhjen e as për cilësinë e shërbimit. Dhe mendoj se në bashkëpunim me institucionet e tjera qendrore duhet të marr përgjegjësitë, duke parë se institucionet private shëndetësore kanë të drejtën e një oferte publike të mjaftueshme për të përballuar kërkesën në rritje të kushteve të rënda të këtij shërbimi në shtet. Cilësia e jetës, pjesë e shëndetit, ndërkohë që adresimi së bashku me institucionet shëndetësore mund të bëhen shumë, duke pasur parasysh bashkërendimin e këtyre përgjegjësive.

Nevila Nika: Bashkia ose ju si kandidat e keni menduar se në Tiranë 95 për qind e ndërtesave nuk janë të regjistruara në zyrën e pasurive të paluajtshme?

Problemi i mbetjeve urbane është edhe detyrimi ynë si qytetar.

Regjimi i mëparshëm vendosi pllakat “mos pështyni në tokë”. Sot qyteti është më i pistë...

Basha: Unë kam bërë publike platformën time dhe premtimin tim për të hipotekuar brenda nëntorit të këtij viti të gjithë apartamentet që kanë mbetur peng e këtij procesi të papërfunduar, pasi është një derivat i rëndësishëm për ekonominë, pasi kanë një vlerë prej 800 milionë dollarësh, që tashmë qëndrojnë të ngrira. Vlera e tyre do të rritet pas hipotekimit. Shkak kanë qenë shkeljet e ndërtuesit dhe pjesa tjetër është abuzive. Ne në bashkëpunim me qeverisjen vendore do të bëjmë pjesë të amnistisë këtë çështje dhe si mund të bëhen pjesë e faljes. Dhe ky mund të jetë një shembull negativ që nuk duhet të përsëritet. Duhet të njihet përgjegjësia se deri në ç’masë do të jetë kjo përgjegjësi dhe ne do ta paraqesim me detaje në platformë. Ky është një premtim i domosdoshëm, shkrirja e këtij kapitali si shkak i mos hipotekimit. Për çështjen e mbetjeve urbane ka në thelb trajtimin e mbetjeve të diferencuara që në momentin e mbledhjes, por edhe një trajtim i integruar. Çlirimin e një sektorit publik nga sa më shumë efekte të pagesës për trajtimin e mbetjeve urbane.

Valentina Duka Kam një pyetje që ka të bëjë me sektorin tim, pasi jam historiane. Nëse do të isha prezente në Kongresin e Lushnjës, do të votoja që Korça të ishte kryeqytet, por mbështes ata që thanë që Tirana të ishte kryeqytet i Shqipërisë. Cili do të jetë raporti juaj me ruajtjen e vlerave historike të këtij qyteti?

Basha: Raporti im me vlerat historike të qytetit do të jetë fare i qartë. Unë do të mbështes pa asnjë rezervë promovimin e këtyre vlerave, si dhe do të veproj me forcë kundër çdo tentative plani apo zbatimi plani për të zbehur apo gllabëruar vlerat historike të qytetit të Tiranës. Do të kërkoj rigjenerimin porsa është e mundur i këtyre vlerave si pjesë e zhvillimit jo vetëm të qendrës, por edhe lagjeve, komuniteteve që kanë pasur kontributin e tyre në kthimin në kryeqytetin e kombit.

Xhindi: Unë jam nënë e dy fëmijëve të vegjël dhe do t’ju thoja ju zoti Basha: a do të shkoni ju të hani një pjatë supë në një nga çerdhet e Tiranës?

Basha: Edhe unë jam prind, sigurisht ne i duam fëmijët dhe të kenë kushte të mira, siguria e tyre është gjëja më e rëndësishme. Kjo përbën bazën për ta trajtuar si një domosdoshmëri për të përmirësuar parametrat e këtyre vogëlushëve përballë prindërve, nëse janë në punë apo të papunë. Shtimi i shkollave e kopshteve, cilësia e shërbimit dhe kohëzgjatja e shërbimit, prej tre muajsh pushime, janë pjesë konkrete e angazhimit tim si kryebashkiak, por edhe si prind. Prandaj ju siguroj që do të shkoj të ha një pjatë supë në një nga çerdhet e Tiranës.

Oseku: Ju kam ndjekur. Unë desha t’ju thoja për një problem për varrezat e Tiranës. Ky është një problem që shumë familje të fusin te prindërit tre katër veta brenda. Bota i ka parë, nuk është vetëm një vend, por edhe vende të ndryshme. Mbushen me lule artificiale. Ka artistë që merren me formatimin e varreve. Për këtë duhet të ketë një zgjidhje

Basha: Ndonëse kemi 20 vjet që jemi të lirë të gëzojmë liritë tona të plota, duke përfshirë dhe lirinë tonë për t’u afruar me Zotin në momente më përcaktuese të ekzistencës sonë, siç janë momentet e fundit të njerëzve tanë, prindërve, të afërmve, miqve, mbetet ende një problem, duket se çështja ka mbetur në vend numëro.

Hapësirat janë në përfundim, por mënyra se si është vepruar me administrimin e tyre, që është kaq e rëndësishme për qytetin, i ngjan kaosit në qytetin ku jetojmë, në mos edhe më rëndë, në qytetin kur do të prehen ata që kanë jetuar këtu.

Ky aspekt është fare i lehtë të trajtohet në suazën e luftës politike, për të thënë se kush e ka fajin e kush është përgjegjës. Dua të theksoj që në përqasjen time tregimi me gisht, hedhjen e fajit dikujt dhe hapja e një debati të kotë nuk ekziston. Unë marr përgjegjësitë e plota që i takojnë qytetarit të parë për çdo çështje, duke marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi.

Në konceptin e varrezave, së pari duhet të bëjmë vend për të trajtuar këtë proces që lidhet drejtpërdrejt me qytetarin, me hapësira të mjaftueshme dhe kjo është e mundshme, dhe së dyti, për të bërë këtë përqasje në mënyrë sa më dinjitoze, për të ofruar të gjitha mundësitë që kjo ceremoni thotë shumë për familjarët, të ketë potencial të zhvillohet në një kuadër sa më qytetar dhe lehtësues dhe sa më të mundshëm dhe sipas riteve fetare. Unë kam një projekt konkret të përgatitur nga njerëz specialistë, që e kanë gjetur derën e mbyllur dhe sot e kanë këtë rrugë të hapur për zgjidhjen në një kohë më afatgjatë.

Vorpsi: Kisha dy pyetje dhe një sugjerim: duhet të flasim për nivelin cilëson të jetesës; pyetja ime e parë ka të bëjë me monumentet artistike, të arkitekturës dhe folklorike. Mos ka ardhur koha që pranë Bashkisë së Tiranës të ketë një grup pranë saj. Së dyti, ka të bëjë me muzikën. Ne kemi një muzikë klasike.

Basha: Në platformën e artit dhe kulturës një vend të veçantë zë mbështetja e traditës së artit folklorik autokton, por edhe traditat e ardhura nga qytetet e tjera që ngjizën në Tiranë traditat e tyre folklorike dhe kjo është e rëndësishme që të diskutohet me përparësi me institucionet e tjera. Këtu doja të shtoja dhe artizanatin dhe këtu doja ta shihja jo vetëm si aktivitet prodhues por edhe artistik, dhe me vlera turistike, pra me vlera zhvillimi ekonomik e punësimi dhe vendosjen e Tiranës si një destinacion për turizmin. E njëjta gjë edhe për monumentet. Përsa i përket muzikës, ne kemi sot si rezultat i investimit një pasuri të çmuar që përfaqësohet nga kapacitetet tona, por kemi një varfëri të skajshme infrastrukturore. Një pjesë kryesore e projektimit i është lënë zhvillimit të hapësirave kulturore e artistike. Tirana duhet të ketë operën dhe filarmoninë të qytetit, të ketë një shtëpi dinjitoze si simbolin më domethënës të arritjes, me të cilin identifikohet çdo qytetari. Në veçanti për Tiranën, sa më e çmuar është kjo trashëgimi, sidomos këtu ku përplasen kulturat dhe kjo do të tregojë harmoninë bashkëjetesën dhe promovimin e vlerave, dhe aleancën e qytetërimeve. Do ta kem përparësi ngritjen e këtij institucioni.

Halimi:Ju thatë që do ndalohen gjithë ndërtimet pa u bërë plani rregullues i Tiranës. Menjëherë mendova sikur të isha punëtor ndërtimi dhe do ngelesha pa punë?

BASHA: Së pari, nuk kam as tagër që të ngrij gjithçka që po ndodh në këtë qytet, por unë do të ngrij deri në përfundimin e planit urbanistik çdo cenim të hapësirave të gjelbra. Kjo nuk do të thotë që do të lëmë ato që kanë nisur. Duhet parë plani urbanistik dhe unë kam thënë afati maksimal 12 muaj. Situata e ndërhyrjes së ndërtimeve do të jetë sipas nevojës imediate, se nuk do të lëmë një shtëpi t’i bjerë çatia. Por unë nuk do të lejoj që një shtëpi e vogël të bëhet 15-katëshe dhe një tjetër të rrënohet, apo një hapësirë e gjelbër të mbeten vazot në ballkonin tonë. Prandaj duhet të përfundojë plani rregullues i qytetit, nuk duhet të mbarojë brenda majit 2012. Së dyti, në bashkëpunim me ndërtuesit do të shohim mundësitë për të vendosur kapacitetet e tyre ndërtuese në punë të plotë, por edhe për t’u dhënë një kohë bazuar mbi nevojën që ky qytet ka për zhvillim, nevojën për Unazë të madhe dhe për korridorin rekreativ, ndërtimi i institucioneve publike, jo publike, fetare, kulturore dhe akset infrastrukturore qoftë dhe nënkalimet, por edhe zgjerime të akseve ekzistues, ndërtim të hapësirave për parkim. Këto janë punë që do të kryhen në partneritet me shoqatat e ndërtimit. Plani urbanistik jo vetëm nuk i ngushton hapësirat e ndërtimit por i zgjeron ato. Kjo do të ndodhë nëse i japim fund ndërtimit të paplanifikuar dhe ditë për ditë i ofron më pak jetë qytetarëve. Është koha që Tiranës t’i kthejmë fizionominë qytetare, ka vend për hapësira zhvillimi, por ky zhvillim tani është kthyer në një ngërç. Ku është transparenca e shërbimit? Si mund të justifikohet në mes të lagjes së Tiranës i bie bixha dhe bëhet pallat dhe 15 të tjera vuajnë se çfarë do të bëhet me to? Prandaj propozimi im është ky: brenda vitit të parë plani urbanistik do t’u japë mundësi çdo qytetari të bëjë ç’të dojë me pronën e tij, dhe për çdo qytetar rifitimi i plotë i hapësirave publike, që në qendër ka Tiranën europiane në bashkëpunim me minibashkitë e tjera dhe me qytetet e tjera. Ky është vizioni im, dhe unë nuk i lëviz asnjë presje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›