E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama votoi projektin tim fiskal”

14/04/2011  Kandidati Basha zhvillon ballafaqimin e dytë me intelektualët e Tiranës

Decentralizimi i pushtetit vendor dhe punësimi, prioritetet kryesore

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi dje ballafaqimin e dytë me intelektualë të angazhuar në forumin “Iniciativa për Tiranën”. Gjatë këtij takimi, i vendosur përballë tyre, ku secili ngrinte nga një shqetësim për problematikat e qytetit të Tiranës, kandidati Basha ritheksoi nevojën e tij urgjente për të dëgjuar zërin e qytetarëve kryeqytetas, siç tha ai, të paprekur nga vulgu i interesit politik. Ai bëri prezentë projektet e tij për reduktimin e taksave aktuale me 2/3 e tyre, si dhe atë për decentralizimin e pushtetit vendor. “Unë kam prezantuar një projekt fiskal, i cili dje mori dhe votën e zotit Rama. Unë kam shprehur në platformë eliminimin e disa taksave, që mori dje edhe mbështetjen e kundërshtarit tim, për reduktim të taksave, që synon nga 85 taksa të hiqen 60 taksa. Ulja e taksave i kursen biznesi të vogël 1,2 miliard lekë. Ulja e taksave do të sjellë 4000 vende të reja pune”, - tha Basha. Për sa i takon decentralizimit të pushtetit vendor dhe punësimit, Basha theksoi se përkushtimi i tij është për një qeverisje transparente. “Platforma ime propozon një qeverisje të decentralizuar. Objektivat e qeverisjes duhet t’u shërbejnë objektivave të qytetarëve. Kam nevojë të dëgjoj zërin e qytetarëve. Kryebashkiaku ka nevojë për konsensus nga qytetarët. Konceptimi im për qeverisjen është për një bashkëqeverisje me grupet e interesit”, - tha në fjalën e tij Basha. Punësimi gjithashtu është një tjetër pikë e rëndësishme e platformës së kandidatit Basha për zhvillimin ekonomik të qytetit. “Pikëpamja ime është që kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të ketë prioritet më të madh sesa zhvillimi i qytetit. Tirana këto vite ka njohur një dobësim të zhvillimit ekonomik. Për mua parësore do të jetë zhvillimi ekonomik dhe punësimi i qytetarëve. Do të ketë rritje dhe zhvillim të biznesit, i cili do të jetë promotor i punësimit”, - tha ai. Gjithashtu zhvillimi i infrastrukturës së qytetit është një pikë e programit, nga e cila do të punësohen shumë njerëz. “Ndërtimi i unazës së madhe, ndërtimi një tramvaje, parkime private. Investimet në infrastrukturë do të jenë promotorë të zhvillimit dhe gjenerimit të vendeve të punës, mbi 5800 vende pune që në muajin e parë”, deklaroi Basha. Një rëndësi të veçantë në fjalën e tij rivali i Ramës për Bashkinë e Tiranës i ka kushtuar rigjallërimin e lagjeve të Tiranës, për të cilën ai propozoi një rikonceptim i ri i marrëdhënieve me qytetarët, me qëllim që për Tiranën kryebashkiaku të vendosë duke dëgjuar më parë zërin e qytetarëve. Ai tha se konsensusi i ndërtuar ndërmjet dialogut, që ka në qendër interesin qytetarë, duhet dhe do të jetë baza e qeverisjes së nesërme. “Unë propozoj që qendër të planit të jetë rigjallërim i lagjeve. Koncepti i bashkëjetesës me qytetarët kërkon një rikonceprim të ri. Rikthimi i hapësirave të gjelbra është shumë i rëndësishëm. Tirana kryeqendër urbane, universitare, e artit kulturës dhe sportit, e gjelbër. Politika e gjelbër synon rikthimin e gjelbërimit në këtë qytet”, - vijoi Basha.

Bashkëpunimi

Në fjalën e tij gjatë takimit me intelektualët, kandidati i PD-së për Tiranën, tha se në radhë të parë duhet të rikonceptohet marrëdhëniet mes kryebashkiakut dhe qytetarëve. Duke vënë theksin në dëgjimin e zërit të qytetarëve, Basha ka vlerësuar iniciativën e intelektualeve për dialogun në fjalë. “Kryesore është se në këtë iniciativë unë shoh preokupim”, tha ai.

Prezantimi i Gjozit

Kryetarët e njësive bashkiake në kryeqytet nuk do të kenë më kompetencë të vetme dhënien e certifikatave. Kandidati Basha gjatë prezantimit të kandidatit për Njësinë Bashkiake nr. 2, Elez Gjozi, bëri të ditur se në platformën e tij parashikohet decentralizim real për ta sjellë pushtetin vendor pranë problemeve të qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›