Projekti, Banka Botërore 20 milionë USD për rrugët dytësore
Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore miratoi dje një kredi prej 20 milionë dollarësh për ndërtimin e rrugëve lokale dhe sekondare në Shqipëri. Projekti ka për synim, përmirësimin e aksesit ndaj shërbimeve kryesore dhe tregjeve ekonomike, veçanërisht në zonat rurale. Sipas zyrës së shtypit të Bankës Botërore në Tiranë, “projekti parashikon të mbështesë përfshirjen e sektorit privat në mirëmbajtjen e rrugëve në rrjetin rrugor”. Përmes këtij projekti, Banka do të veprojë si katalizator në nxitjen dhe përfshirjen e financimit të donatorëve të tjerë në këtë sektor. Ky projekt, përbën hapin e parë të madh në heqjen e pengesave, duke ushtruar në këtë mënyrë një impakt real në cilësinë e jetës të banorëve në zonat rurale. “Ky projekt do të vejë në rrugë të mbarë menaxhimin dhe financimin e rrjetit të rrugëve lokale dhe rajonale, duke garantuar një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen”, bën të ditur BB. Kostoja totale e projektit është 40 milionë dollarë, ku 20 milionë dollarë do të sigurohen nga kredia IDA, 15 milionë nga fondi OPEC për zhvillimin ndërkombëtar (OFID) dhe 5 milionë dollarë do të sigurohen nga qeveria shqiptare në financimin plotësues. Zbatimi i projektit do të ndërmerret nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me mbështetjen e Komitetit Drejtues, krijuar në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve.
6 Qershor 2008