E Diel, 1 Nëntor 2026

ISSH: “Numri i ulët i kontribuuesve cenon qëndrueshmërinë financiare”



Numri i ulët i kontribuuesve dhe paga jo reale e deklaruar për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore, janë dy problemet kryesore më të cilat po përballet skema e pensioneve. Këto dy fakte janë evidentuar nga raporti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), i cili u shqyrtua dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës (KKP). Pika më e rëndësishme e rendit të ditës që mori në shqyrtim KKP ishte prezantimi i raportit të punës së ISSH-së për vitin 2007 dhe objektivat për vitin 2008. Përballë kësaj situate zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Ali Emini u shpreh se nëse brezi i sotëm që është ekonomikisht aktiv (në moshë pune) nuk paguan kontributet e sigurimeve shoqërore, atëherë skema gjendet në vështirësi financiare për të paguar përfitimet që paguhen aktualisht. Ai theksoi se ISSH-ja ka bërë përpjekje, mbështetur edhe në mundësitë reale të saj, për rritjen e numrit të kontribuuesve dhe nivelit të pagave që deklarohen, por për të evituar këtë problem nuk mjafton vetëm angazhimi i këtij institucioni. Anëtarët e Këshillit miratuan raportin e ISSH-së, ndërsa përfaqësuesit sindikalistë parashtruan edhe një herë kërkesat për rishikimin e politikave të qeverisë, me qëllim uljen e moshës së pensionit për kategori të veçanta punonjësish dhe përshëndetën rezultatet e planit aksion të ndërmarrë nga Instituti i Sigurimeve dhe Tatim-Taksat, për të rritur nivelin e derdhjeve të kontributeve.

Ndoka, Masa kundër dhunës dhe trafikimit të fëmijëve
Dhuna dhe trafikimi i fëmijëve është një ndër problemet më të thella të shoqërisë sonë, e cila vazhdon me të njëjtat ritme.
Për këtë çështje, është organizuar Konferenca Vjetore për Strategjinë Kombëtare për fëmijët, ku është diskutuar për një strategji për parandalimin e dhunës fizike dhe psikologjike të fëmijëve. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, lidhur me këtë çështje është shprehur se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për parandalimin e këtij fenomeni të dëmshëm për të gjithë shoqërinë tone. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë po punon me ndërhyrje konkrete që synojnë në parandalimin e pasojave imediate dhe afat gjata të dhunës në familje dhe në veçanti të dhunës ndaj fëmijëve, ku prioritet ka parandalimi i dëmtimeve, i sëmundjeve dhe i pasojave shëndetësore që vijnë nga keqtrajtimi i tyre. Personeli i kujdesit shëndetësor ka një rol kyç për të parandaluar këto fenomene të dëmshme, pasi ata janë të parët që duhet të merren me për ofrimin e menjëhershëm shëndetësore në rast të dhunës së ushtruar. Kështu, Ministria e Shëndetësisë në kuadrin e reformës së filluar, në kujdesin shëndetësor parësor, aktualisht po punohet për përgatitjen e udhëzuesve të praktikës mjekësore për mjekun e familjes dhe paketa e shërbimeve të ofruara nga këto qendra, ku është përfshirë edhe ndjekja, trajtimi dhe parandalimi i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

6 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›