Fund mashtrimit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte dje në Paçram dhe në Dajç të Shkodrës, në vazhdën e turit “Dialog me Shqipërinë”. Kreu i socialistëve, bashkëbisedoi për problemet e fshatit, duke premtuar zgjidhjen e problemeve, kur të majtët të vijnë në pushtet. Ai nënvizoi se është koha, që për një politikë të re, e cila të trajtojë ndryshe fshatin dhe banorët e tij. “Unë kam shumë besim se ne mund të realizojmë shumë nga ato gjëra që i dëshirojmë prej 17 vjetësh dhe që gjatë gjithë kësaj kohe, mbeten vetëm dëshira. Ndërkohë që në këto 17 vjet kemi patur zhgënjime, pasi kemi dëgjuar shumë premtime. Besoj se është koha për t’i dhënë jetë një politike të re, e cila është politika e jetës së përditshme, është politika e komunikimit të drejtpërdrejtë me njerëzit ku ata jetojnë, është politika e diskutimit dhe e vendimmarrjes së përbashkët për rrugëdaljet nga krizat e jetës tonë të përditshme”- u shpreh Rama. Ai theksoi se qytetarët duhet të kuptojnë se e ardhmja është në dorë të tyre, e së bashku me politikën e re, mund të ofrojnë një të ardhme më të mirë. Kreu i socialistëve, nënvizoi se mosbashkimi i madh tek politika e re do të bëjë që kjo e ardhme pozitive, të largohet edhe më tepër. “Kam ardhur t’u them të merreni me politikë, jo për t’u bërë politikan, as për t’u bërë ushtar partie, por të diskutojmë së bashku, të ndërtojmë së bashku një kor, në mënyrë që zërat e secilit të kthehen në një zë të përbashkët, në zërin e përbashkët të shpresës, në zërin e përbashkët të ndërtimit të një rruge të re, në zërin e përbashkët të dëshirave, ambicieve, interesave apo halleve të përbashkëta”- deklaroi ai. Për Ramën politika e rë ringjall shpresën në çdo fshat të vendit. Ai premtoi se falë programit të ri politik të socialistëve dhe mbajtjes së premtimeve, edhe në fshat ndryshe nga këto 17 vjet, do të mund të jetohet me një standard të lartë. Sipas tij, është koha që mashtrimet e politikanëve të marrin fund, apo edhe rastet e paaftësisë së tyre edhe kur kanë vullnetin e mirë për të mbajtur premtimet. Por, për të korrur sukses sipas tij, politika e rre duhet t’i japë fund përçarjeve dhe kufijve të vendosur mbi bindjet politike. Pas takimit me banorët e këtyre dy fshatrave, Edi Rama, është nisur për të vazhduar bashkëbisedimin me banorët e një tjetër fshati në veri të vendit. Prej mëse një viti lideri i socialistëve, ka nisur turin “Dialog me Shqipërinë”, fryt i të cilit do të jetë një program qeverisës bazuar tek konsulta me popullin.