Mile Çami, urdhëroi vrasjen e ndërtuesit

FIER – Identifikimi dhe dokumentimi dy ditë më parë i Fatmir Eminit, Artan Yzeirit dhe Klodian Yzeirit, për vrasjen e Xhevrie Cakës, nënës së Lulëzim Cakës, duket se po hap shumë “petë lakrori” që kanë lidhje me krime të rënda që kishin mbetur me vite të pazbardhura. Një ndër krimet më të rënda që pat tronditur opinionin publik në Fier, ishte dhe ekzekutimi gjakftohtë i njërit nga ndërtuesit më të mëdhenj të Fierit, Gjergji Halo. Në buzëmbrëmjen e 12 korrikut të vitit 2001, plumbat e një pistolete me silenciator e lanë gati pa jetë biznesmenin Halo, pikërisht në hyrje të pallatit të sapondërtuar prej tij, i pari ndërtim 15-katesh në Fier. Alarmi i dhënë nga dëshmitarët që panë trupin të shembej përdhe, duke u mbuluar nga gjaku, bënë që të zbrisnin dhe familjarët e inxhinierit të njohur, të cilit i doli frymë e fundit në duart e nënës së tij plakë. Përpëlitja e fundit të buzëve të ndërtuesit 49-vjeçar, baba i dy vajzave, nuk bëri të mundur artikulimin e emrit të vrasësit, apo të urdhëruesit të saj. Gjergji Halo për shumë vite e mori me vete të vërtetën e ekzekutimit të tij, të paktën për drejtësinë, ndërkohë që dyshimet se nga pas ishte Fatmir Emini, “thashethemoheshin” lart e poshtë nën zë. Por edhe pas arrestimit të Mile Çamit, në vitin 2006 nga ana e policisë dhe prokurorisë, nuk u bë të mundur gjetjen e provave që mund ta fajësonin atë për ekzekutimin e inxhinierit Gjergji Halo. Sipas burimeve nga Prokuroria e Rrethit të Fierit mësohet se disa muaj më parë është rihapur në bashkëpunim me Zyrën e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit dhe hetimi për ekzekutimin e tipit mafioz të ndërtuesit Gjergji Halo. Të njëjtat burime i thanë dje të gazetës “Korrieri” se tashmë nga hetimet “skema” po zbardhet plotësisht dhe se ata kanë “arsye” të forta, që të kenë dyshime serioze se vrasja u urdhërua nga ana e Fatmir Eminit, i njohur në Fier si Mile Çami, ndërkohë që doraci dyshohet se ka qenë Klodian Yzeiri. Vrasja e biznesmenit Gjergji Halo, po sipas të njëjtave burime konfidenciale, dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti mes tyre, i lindur për një truall. Ndërtuesi Gjergji Halo, kishte vetëm pak kohë që kishte ngritur një pallat banimi 15-katesh, jo shumë larg shtëpisë së Fatmir Eminit, i cili jo vetëm që dyshohet se i ka kërkuar dëmshpërblime për truallin, por pretendonte dhe hyrje në pallat. Përballë refuzimit të ndërtuesit, dyshohet se nga ana e Mile Çamit ka pasur presione e kërcënime të shumta për përfitime monetare. Përballë rezistencës së Gjergji Halos, atëherë është gjetur rruga e fundme. Një armë silenciator i dha fund sherrit mes Mile Çamit dhe ndërtuesit Halo, së bashku me jetën e këtij të fundit. Të paktën deri mbrëmë kështu dyshohej...