Bode: Mos ekzekutimi i kolateralit po cënon sistemin e bankave

Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi sot se në një kohë kur kriza globale po shkon drejt uljes së presionit, faktori i jashtëm si ndikues tek bankat ka rënë djeshëm.
“Po marrim masa që të mos lejojmë që faktorë të tjerë të brendshëm të cënojnë sistemin e bankave”, u shpreh Bode ndërsa shtoi se duhet adresuar çështja e garancisë së kolateralit.
“Analizat paraprake të BSH flasin për një gamë të gjërë problemesh sa i takon kreditimit dhe kolateralit. Këto lidhen me cilësinë e përmbarimit dhe ekzekutimin e vendimeve. Apati në hapat e procesit dhe impakti që ka sjellë mos ekzekutimi i kolateralit bankar. Totali i detyrimit të papaguar nga debitorët shkon në vlerën 20 miliard lekë. Vlera e kolateralit është dy herë më e lartë se detyrimi dhe ekzekutimi nuk do të përbënte problem. Pasiguria dhe vonesat në ekzekutim e bëjnë objektivin e bankave gjithnjë e më të vështirë”, u shpreh Bode. Ai këmbënguli se kreditë e këqia janë rritur ndjeshëm dy vitet e fundit. “Bankat kanë qenë të pamundura të tërheqin garancitë që do hiqnin nga bilanci kreditë e këqia. Kostoja e financimit në disa sektorë është rritur sikurse krediti i bankave”, tha Bode ndërsa shtoi se mos ekzekutimi i kolateralit, ndikon drejtpërdrejtë tek llogaritë bankare të qytetarëve.
Bode gjithashtu ka deklaruar se është në interes ruajtja e një sistemi kredibël, sepse prej kësaj rrjedhë përfitimi i dytë i ekonomisë në tërësi, ai i përfimit më shumë kredi. Sipas tij sistemi bankar në 5 vitet e fundit financon biznesin privat, ekoniminë reale me 45% të prodhimit të brendshëm bruto dhe ka rritur mbi 10 herë me vlerë totale, sasinë e kreditimeve që ka bërë për zhvillimin e vendit.