E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti TAP, Berisha takohet me përfaqësues të Shah Deniz

Kryeministri Berisha gjatë qëndrimit të tij në Azerbajxhan ka zhvilluar një takim me përfaqësues të aksionerëve të Shah Deniz.

Aksionerët shprehen mirënjohjen për progresin e arritur nga të tre vendet, Shqipëria, Italia e Greqia e veçanërisht nga Shqipëria, me ratifikimin e marrëveshjes ndërqeveritare ndërmjet tre vendeve dhe firmosjes së marrëveshjes pritëse qeveritare.

Gjithashtu, autoritetet shqiptare u përshëndeten për angazhimin maksimal të tyre për miratimin rregullator e vlerësimin mjedisor, përmes së cilës u mundësua pajisja me lejen mjedisore. Ata parashtruan zhvillimet tejet të kushtueshme përsa i përket fazës së prodhimit dhe shfrytëzimit të rezervave të Shah Deniz.

Në këtë këndvështrim, ata theksuan rëndësinë që ka fizibiliteti ekonomik i projektit, për tu përzgjedhur në fazën e shpërndarjes, në fund të qershorit, mes TAP e NABUCCO-s.

Kryeministri Berisha ritheksoi avantazhin që paraqet TAP si projekti më ekonomik, duke i shërbyer një tregu të gjerë të jo vetëm vendeve transit, por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, kryeministri është takuar dje në Baku, edhe me Presidentin e kompanisë SOCAR, Rovnag Abdullayev.

Kryeministri Berisha parashtroi mundësitë e investimit nga kompania SOCAR në Shqipëri në fushën e energjisë, të eksplorimit e shfrytëzimit të gazit e naftës.

Gjithashtu, Kryeministri informoi Presidentin e SOCAR mbi ecurinë e përgatitjeve rreth gazsjellësit Trans-Adriatik, kuadrin ligjor, rregullator e mjedisor të përmbushur tashmë, të nevojshëm për konsorciumin e Shah Deniz.

Kryeministri ritheksoi avantazhet e dukshme të projektit të TAP, duke ofruar garancitë për mbarëvajtjen e tij dhe angazhimin maksimal të të gjithë rajonit, për të bërë të mundur përzgjedhjen e tij përfundimtare.

Nga ana e tij Abdullayev shprehu mirënjohjen për punën serioze që qeveria shqiptare ka bërë, në përpjekje për të adresuar kuadrin rregullator të nevojshëm në mbështetje të TAP, përmes negociimit, firmosjes dhe ratifikimit të marrëveshjeve lidhur me TAP. Ai shprehu edhe mirënjohjen për miratimin e përjashtimit të palëve të treta nga tre rregullatorët e vendeve respektive.

Presidenti i SOCAR shprehu angazhimin e tij në identifikimin e projekteve të tjera me interes në Shqipëri në fushën e energjisë, sikurse edhe gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në projektin e madh të saj të gazifikimit të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›