Projekti belg zgjidhet fitues për ndërtimin e stadiumit të ri në Vlorë, Rama: Do hapim kantierin e stadiumit të dytë në Tiranë

Pas Korçës dhe Durrësit, edhe stadiumi i Vlorës do i nënshtrohet rindërtimit të kthimit të saj në një qendër multidimensionale për qytetin, ku në fokus nuk do jetë vetëm futbolli, por edhe aktivitete të tjera që do integrohen me jetën e qytetit.
Pas prezantimit të 3 projekteve finaliste, studio FUKSAS (Itali), OPPENHEIM Arkitekturë (SHBA & Zvicër) dhe XDGA (Belgjikë), alternativa e studios belge ‘XDGA’ u shpall fituese.
Kryeministri Rama tha se ambicia e qeverisë është krijimi i modeleve të reja për t’i kthyer ato në motorë zhvillimi të ekonomisë së qytetit.
Rama tha se këto projekte do të shtohen edhe me një stadium të dytë në Tiranë, ku lokomotiva e këtij treni të gatë është pikërisht stadiumi “Air Albani” në kryeqytet.
“Unë dua ta them që këto tre stadiume nuk janë fundi i një përpjekje të nisur së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit, por janë vetëm vazhdimi. Pas këtyre tre projekteve ne do të ulemi përsëri me presidentin, Federatën dhe do të studiojmë se cilët do të jenë vagonat e tjerë që do t’i bashkohen këtij treni. Këtij treni që lokomotivën e ka te stadiumi “Air Albania” në Tiranë, por që ka stadiumet e reja të Shkodrës, të Elbasanit, të Kukësit dhe së shpejti do të hapim edhe kantierin e stadiumit të dytë të Tiranës, “Selman Stërmasi’’, përsëri me një partneritet publik-privat dhe falë një prej studiove më të mëdhaja në Europë, studios OMA nga Holanda.
Vlora prej kohësh e kërkon një stadium siç i ka hije, por sot është koha për ta ndërtuar sepse ju e dini shumë mirë që Vlora kaloi një periudhë shumë të zymtë braktisjeje dhe izolimi dhe vetëm në vitet e fundit ajo është ngjitur në një tjetër nivel dhe është kthyer në një qytet gjithmonë e më të vizituar, i cili edhe pse ishte buzë detit, vizitohej shumë pak dhe përgjithësisht shërbente vetëm si rrugëkalim për të shkuar më tutje në jug, pasi realisht, në Vlorë nuk kishte gjë tjetër veç kantiereve të ndërtimit të pallateve, të cilat u kthyen pak nga pak edhe në një stok të frikshëm që nuk shitej. Sot është komplet e kundërta. Sot në Vlorë është rritur në mënyrë të vazhdueshme vlera e pronës.
Sot në Vlorë është rritur në mënyrë të vazhdueshme çmimi i pronës dhe i apartamenteve dhe i hapësirave për të bërë biznes dhe sot janë krijuar kushtet që, duke bashkuar interesin publik me interesin privat, në bazë të modelit që kemi ndërtuar me shumë sukses së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit në Tiranë, të ndërtojmë këto stadiume të reja”, tha Rama.
Rama tha se investimet në sport do të rriten, ndërsa pati një paralajmërim për kryebashkiakët e rinj se nuk do i lë rehat për të krijuar fusha sportive dhe kushte për fëmijët.
“Kryetarët e rinj të bashkive mbas 14 majit do të kenë një presion shumë të madh nga unë për të krijuar sa më shpejt kushtet që Federata Shqiptare e Futbollit të mund të fillojë me investimet e tjera për fushat për fëmijët, ndërkohë që në Vlorë duam të krijojmë një kampus sportiv që t’i shërbejë Flamurtarit, por të mund të akomodojë dhe skuadra të huaja për fazat përgatitore të verës dhe dimrit. Kjo është pak a shumë panorama e ambicieve dhe pritshmërive”, tha Rama.
Më herët projektet për ndërtimin e stadiumit të ri u zgjodhën në Korçë ku fitoi studio CEBRA nga Danimarka dhe në Durrës fitoi studio belge 51N4E.
/rtsh.al/