“Shqipëria ka bërë transformime rrënjësore katër vitet e fundit”
Kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, presin ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Van Den Dool, me rastin e përfundimit të mandatit
Kryeministri Berisha priti dje ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë Van Den Dool me rastin e përfundimit të mandatit të tij. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Van Den Dool për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe ndihmën shumë të çmuar që Holanda i ka dhënë Shqipërisë në vijimësi gjatë gjithë këtyre viteve.
Në veçanti Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për projektet shumë të rëndësishme që qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë holandeze realizuan gjatë mandatit të ambasadorit Van Den Dool në Tiranë
Ambasadori Van Den Dool e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer, të hapur, të ngushtë e miqësor, që ai ka pasur me qeverinë shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve.
Ambasadori Van Den Dool, u shpreh se largohet nga Shqipëria me përshtypjet më të mira dhe se gjatë këtyre katër viteve të fundit transformimet rrënjësore që kanë ndodhur në vend bëjnë çdokënd të mendojë se Shqipëria është sot një vend krejtësisht i ndryshëm nga çka qenë katër vjet më parë.
Këto arritje ambasadori i vlerësoi si të një rëndësie të madhe historike si anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, liberalizmin e vizave me Bashkimin Evropian, kryesimin e Këshillit të Evropës dhe ecjen përpara me vendosmëri drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst ambasadori Van Den Dool vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare në realizmin e reformave vendimtare në të gjitha këto drejtime dhe i uroi atij suksese të mëtejshme në të ardhmen.
Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin për fjalët dhe vlerësimin e tij dhe theksoi se ambasadori Van Den Dool, largohet si një mik i madh dhe i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe se është gjithnjë i mirëpritur në vendin tonë.
Pas takimit Kryeministri Berisha shtroi një dreke për nder të ambasadorit Van Den Dool, në të cilën merrni pjesë dhe ambasadorë e anëtarë të tjerë të trupit diplomatik, drekë, e cila kaloi në një atmosferë shumë të ngrohte dhe miqësore.
Jozefina Topalli - Van Der Dool
Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Henk G.C Van Der Dool, tha dje se në këto vite Shqipëria ka shënuar progres të qenësishëm duke përparuar drejt aspiratës së integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë një takimi me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli ambasadorin Van Der Dool, të cilit i përfundon mandati diplomatik në vendin tonë, shprehu mbështetjen e Holandës në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE si dhe ofrimin e asistencës ndaj këtij procesi. “Shqipëria ka shënuar ndryshime të mëdha, të cilat unë i krahasoj me nisjen e mandatit tim diplomatik këtu. Brenda kësaj kohe, Shqipëria është bërë anëtare e NATO, ka arritur liberalizimin e vizave dhe sot po përparon me reformat drejt integrimit në BE” u shpreh ambasadori Van Der Dool.
Ambasadori Van Der Dool vlerësoi se largohet nga Shqipëria me mbresat më të mira dhe se në këto vite të punës së tij diplomatike ka krijuar lidhje të forta me personalitete të rëndësishme politikës, shoqërisë si dhe me popullin shqiptar.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi ambasadorin Van Der Dool për bashkëpunimin pozitiv në këto vite si dhe mbështetjen që vendi i tij ka dhënë dhe vijon të japë ndaj proceseve integruese në Shqipëri dhe në Kosovë.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi gjithashtu për vlerësimin e progresit të reformave, ndërsa theksoi se po bëhet çdo gjë për të realizuar të gjitha reformat në përputhje me rekomandimet e Brukselit për të realizuar objektivin kombëtar, bashkimin në familjen evropiane.
Gjatë takimit, dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe lidhur me forcimin e bashkëpunimit parlamentar midis dy vendeve duke nxitur shkëmbimin e vizitave në nivel zyrtarësh të lartë, delegacione deputetësh, komisionesh parlamentare etj.