“Projekti i ullirit, prioritet edhe në mandatin e tretë, subvencionim fermerëve”

Kryeministri Berisha viziton në Vlorë fabrikën e prodhimit të vajit të ullirit organik “Musai olive oil”
Në Vlorë, kryeministri Berisha vizitoi edhe një fabrikë të prodhimit të vajit të ullirit ekstra vergine (bio), që ka nisur veprimtarinë e tij në vitin ‘95. Kjo fabrikë ka hyrë në treg duke marrë si nxitje të parë një kredi bankare dhe me aktivitetin e saj ka bërë të mundur rritjen e prodhimit si dhe të cilësisë, duke siguruar certifikata ndërkombëtare dhe operon sot si në tregun shqiptar ashtu edhe në atë ndërkombëtar Europian si dhe në New Jork. Kryeministri Berisha pa nga afër teknologjinë që kjo fabrikë përdorte për prodhimin e vajit me produktin e saj. Ai vlerësoi arritjet e këtij biznesi duke theksuar se me punën e palodhur dhe me përkushtimin e tyre, ata kanë nderuar jo vetëm veten por edhe Vlorën, Shqipërinë dhe të gjithë ata që i kanë mbështetur.
Kryeministri tha se për qeverinë ulliri është projekt kombëtar dhe se do të bëjë gjithçka që ai të mbillet në sipërfaqe sa më të mëdha, por shtoi se, rezultatet e arritura nga biznesi i z. Musai e bëjnë ketë projekt edhe më kuptimplotë, më të motivuar e më optimist.
Sipërmarrësi i kësaj fabrike, z. Musai, krahas vlerësimit që dha për rëndësinë që qeveria i ka kushtuar projektit te ullirit duke e vendosur atë në nivel kombëtar, theksoi se është domosdoshmëri subvencionimi në bazë të prodhimit. Një kërkesë kjo, që gjeti mirëkuptim nga kryeministri Berisha, i cili tha se qeveria edhe mandatin e ardhshëm do të vijojë të nxisë mbjelljen e ullinjve, si dhe të përpunimit të ullirit në vaj duke shprehur vlerësimin më të madh për këtë produkt, të cilin e cilësoi si “eleksir të jetës”.
Nga viti 2007 deri në vitin 2012, falë subvencioneve të qeverisë, janë mbjell 9 mijë ha në ullinj dhe mbi 14 mijë fermerë kanë përfituar nga subvencionet në të gjithë vendin.