Projekti, paketë shërbimesh edhe në spitale
Edhe spitalet, ashtu si poliklinikat në gjithë vendin, do të kenë një paketë bazë shërbimesh shëndetësore për t’u ofruar pacientëve. Projekti i nisur fillimisht nga USAID-i, Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH fokusohej vetëm tek qendrat shëndetësore nga ku u arrit më pas krijimi i një pakete shërbimesh, për të cilën institucionet po mendohen ta shtrijnë edhe në spitale. Dje, në përfundim të projektit, organizuesit kryesorë u shprehën se nisma ishte një ndihmë për zhvillimin e sistemit shëndetësor.
Nisma
Tri institucionet kanë prezantuar dje përfundimet e projektit “Pro shëndetit”. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, znj. Elvana Hana, deklaroi se numri i vizitave në qendrat shëndetësore është rritur ndjeshëm dhe se sot janë afruar 270 mijë persona më shumë që kërkojnë shërbimin e mjekut të familjes krahasuar me fillimin e vitit 2007, vit në të cilën nisi reforma në shërbimin parësor. “Reforma është evidente dhe ne kemi tashmë një raport krejtësisht te ri, ISKSH-pacient-qendra shëndetësore, ku pacienti mbetet në fokusin kryesor. Kësaj i ka shërbyer hartimi dhe implementimi për herë të parë i një pakete të shërbimeve të mirëdefinuar dhe transparente për të gjithë pacientët, e cila përfshin 7 shërbime kryesore”, - u shpreh Hana.
Gjithashtu, edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe ambasadori i SHBA-së, z. John L. Withers, përshëndetën pjesëmarrësit në konferencë.
Ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, vlerësoi si të rëndësishëm dhe të suksesshëm bashkëpunimin me USAID-in për të investuar në komponentë të rëndësishëm për zhvillimin e kujdesit shëndetësor parësor.
Më tej, ai shprehu bindjen se “kjo përvojë e grumbulluar me mbështetjen e USAID-it, nëpërmjet projektit “Pro shëndetit” do të shërbejë edhe në të ardhmen për evidentimin e fushave të reja të bashkëpunimit në kuadër të reformës dhe strategjisë së MSH-së për zhvillimin e sistemit shëndetësor shqiptar”.
Më tej, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, tha: “Tanimë, shqiptarët, nga të porsalindurit deri te të moshuarit, në zona të largëta apo qytete, kanë në dispozicion një paketë standarde me shërbime shëndetësore cilësore”.
Projekti
Projekti pilot “Pro shëndetit” ka ndihmuar në shtrirjen e një pakete reformash që përfshijnë standardizimin e shërbimeve të ofruara, financimin e sektorit dhe sistemin e informacionit shëndetësor. Komponentët kryesorë të këtij bashkëpunimi konsistuan në përmirësimin e cilësisë së shërbimit mjekësor, menaxhimin financiar të nevojave shëndetësore nga qendra shëndetësore, menaxhimin e sistemit të informacionit në kujdesin parësor, si dhe edukimin dhe promocionin shëndetësor në komunitet.
Shërbimet bazë të poliklinikave
Kujdesi në rastet e urgjencës
Kujdesi shëndetësor për fëmijët
Kujdesi shëndetësor për të rriturit
Kujdesi shëndetësor për gratë dhe shëndeti riprodhues
Kujdesi shëndetësor për të moshuarit
Kujdesi shëndetësor mendor
Promocioni e edukimi shëndetësor