E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrohet banda italo-shqiptare, sekuestrohen 30 kg heroinë



Itali

Policia italiane ka shkatërruar një bandë italo-shqiptare dhe ka sekuestruar 30 kg heroinë. Hetuesit italianë organizuan në Milano operacionin “Elios 2009” pas një periudhe disamujore hetimesh. Grupi përbëhej nga tetë persona, ku pjesa më e madhe e tyre ishte nga Shqipëria. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit në Itali, organizata punonte në Veriun e Italisë, ku shiste mallin. Droga merrej nga Shqipëria dhe transportohej pastaj nëpërmjet rrugës detare për në vendin fqinj, ku edhe shitej.

Arrestimet

Karabinierët italianë nisën operacionin ditën e djeshme për arrestimin e pjesëtarëve të bandës, që u nda në disa faza. Kështu, tre prej personave u kapën teksa ishin duke transportuar drogën në autostradë nga Venecia në Firence. Policia sekuestroi edhe sasinë prej rreth 30 kg heroinë, të cilën ata e kishin fshehur brenda në makinë dhe e kishin ndarë në pako. Ndërkohë që një prej pjesëtarëve të bandës u kap në tren afër qytetit të Barit, ndërsa ai po përpiqej që të kthehej në Shqipëri. Sipas burimeve policore dhe mediave italiane, katër pjesëtarët e tjerë të bandës, u kapën në banesat e tyre. Të tetë të arrestuarit u shoqëruan në qelitë e burgut, në pritje për të dalë para gjykatës italiane.

Hetimet

Hetimet për organizatën e narko-trafikut kishin nisur që në muajin janar të vitit të kaluar. Sipas burimeve zyrtare, grupi përbëhej nga tetë persona.

Droga sillej nga Shqipëria dhe ajo më pas transportohej në Itali, ku edhe dërgohej për në veri të vendit, për t’u shitur në tregjet e qyteteve kryesore. Karabinierët sekuestruan edhe një laborator, i cili merrej me përgatitjen e drogës dhe më pas hedhjen e saj në treg. Sipas mediave italiane, dy shtetas shqiptarë të moshës 32 e 27 vjeç u identifikuan nga hetuesit si kryesorët e bandës. Ata kishin për detyrë që të prisnin drogën nga Shqipëria, ta transportonin atë në një banesë dhe ta përgatisnin e ta bënin gati në doza për ta hedhur në treg. Ajo u jepej shqiptarëve të tjerë, italianëve dhe afrikano-veriorëve, të cilët merreshin me shitjen e saj. Sipas hetimeve, droga sillej nëpërmjet kamionëve. Ajo transportohej nga Shqipëria në Greqi në makina, dhe më pas vinte në portin e Barit. Droga më pas sillej në Milano, ku edhe përgatitej për t’u hedhur në treg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›