E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e avokatit të Luan Hoxhës, dështon gjyqi i Gërdecit



Mungesa e avokatëve po bëhet shkak në gjyqin e Gërdecit për shtyrjen e pafund të tij. Pikërisht në momentin kur u duk se kjo çështje po merrte një drejtim dhe gjyqtari kryesues mundi të çelë shqyrtimin gjyqësor, avokatët filluan lojën e tyre. Herë mungon njëri dhe herë tjetri, pa asnjë justifikim paraprak të togat e zeza. E gjendur përballë një situate të tillë, trupa gjyqësore ka bërë të mundur zëvendësimin e avokatëve me avokatë kryesisht nga shteti dhe ka shtyrë gjyqin, duke caktuar një datë tjetër. Gjykata e Rrethit të Tiranës ka shtyrë për më 21 tetor seancën për çështjen "Gërdeci", e cila numëron 28 të pandehur, shumë nga të cilët ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Ky vendim erdhi pas kërkesës së avokatit tjetër të caktuar kryesisht nga gjykata, i cili ashtu siç deklaroi disa ditë më parë edhe avokatja e caktuar nga shteti për të pandehurin Shkëlzen Madani, kërkoi kohë për t’i njohur me dosjen voluminoze. Ka qenë mungesa e avokatit Ibrahim Lahi, përfaqësues ligjor i Luan Hoxhës, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, e cila është bërë shkak për dështimin e seancës së djeshme, ndonëse gjykata e ka pritur për gati 15 minuta ardhjen e tij me shpresën që kjo seancë të mos dështonte sërish. Gjyqi ishte në fazën e kërkesave paraprake, ku të pandehurit kanë shprehur kërkesa të ndryshme, Agim Lala për gjykim të shkurtuar dhe të tjerët u tërhoqën nga kjo kërkesë dhe kërkuan pavlefshmëri të akteve. Ashtu si dhe një seancë më parë, i vetmi i pandehur i arrestuar i pranishëm ka qenë Sokol Ngjeçi, i cili vjen për herë të dytë në këtë gjyq, ndërkohë që nuk ka munguar nga të pandehurit në gjendje të lirë Dashnor Caushi dhe të tjerë ushtarakë apo zyrtarë të akuzuar. Të pandehurit në këtë proces akuzohen si përgjegjës në ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit të kaluar në fshatin Gërdec, Tiranë, kur, si pasojë e shpërthimit në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Katër nga të pandehurit e çështjes akuzohen ndër të tjera, për vrasjen e më tepër se një personi, ndërsa të tjerët për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›