Vasili dhe Naço, thirrje elektoratit të majtë të votojnë LSI-në
Përgatitjet për zgjedhjet lokale, LSI sfidon PS-në në qarkun e Beratit
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, së bashku me deputetin e qarkut të Beratit, Nasip Naço, zhvilluan dje një sërë takimesh në Berat, çorovodë dhe Poliçan.
Në këto takime, drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim shpallën planet ambicioze për zgjedhjet lokale duke deklaruar se LSI do fitojë një seri njësish vendore.
Naço dhe Vasili në fjalën e tyre vlerësuan si prioritet të LSI-së këto zgjedhje, ndaj vunë në pah organizimin dhe përgatitjet në mënyrë që në këto zgjedhje, të realizohen synimet e LSI-së.
“Ne po përgatitemi për këto zgjedhje dhe fokusi ynë si parti politike do të jenë këto dhe vetëm këto zgjedhje, si etapë shumë e rëndësishme e veprimit tonë politik dhe si etapë e patjetërsueshme për të transformuar rrënjësisht raportin e qytetarit me qeverisjen vendore”, u shpreh në fjalën e tij Vasili.
LSI i ka kushtuar një rëndësi të veçantë procesit të përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme lokale pasi për të ka zgjedhjet e ardhshme tashmë po trokasin dhe Lëvizja Socialist për Integrim duhet të përcaktojë dhe objektivat e saj, për një fitore sa më të madhe në garën elektorale.
Dy drejtuesit e partisë që është pjesë e koalicionit të Integrimit, i kanë bërë thirrje elektoratit të majtë që të votojnë LSI-në në zgjedhjet për pushtetin lokal, më 2011-ën.
...