E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti për mbështetjen e emigrantëve të kthyer

20/07/2010 Sipas të dhënave rezulton se gjatë një viti raportohen 64.625 raste kthimi

Nis nga puna zbatimi i projektit që do të mbështesë dhe përkrahë emigrantët e kthyer në vend. Numri dy i Ministrisë së Punës, Kastriot Sulka, ka prezantuar gjatë ditës së djeshme planin e masave që do të zbatohen duke filluar nga muaji korrik deri në mbyllje të 2010-s për përshtatjen e këtyre personave në realitetin shqiptar, duke shpjeguar me detaje procedurat që do të ndiqen për ata që sapo kthehen në vend dhe kërkojnë një vend pune apo kur duan të investojnë në fusha të caktuara. “Kështu emigrantët që në pikën e kufirit do të marrin një informacion se ku duhet të adresohen. Më pas ata paraqiten pranë sporteleve të emigracionit, të zyrave të punës dhe aty në funksion të nevojave që ata kanë adresohen në zyrat rajonale, por në të njëjtën kohë shoqërohen edhe me fletëpalosje për secilën prej këtyre grupeve”, - ka pohuar zëvendësministri. Monitorimi i kësaj strategjie bëhet nga komiteti ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, i cili kryesohet nga kryeministri.

Rikthimi

Shtetasit e kthyer përmes marrëveshjeve të ripranimit apo formave të tjera të kthimit të detyruar u nënshtrohen procedurës së identifikimit dhe intervistimit në pikën e kalimit kufitar nga Policia Kufitare dhe e Migracionit. Për shtetasit e kthyer vullnetarisht, të cilët jo detyrimisht e deklarojnë këtë fakt gjatë hyrjes në Shqipëri, informacioni mbi sportelet e migracionit sigurohet përmes mjeteve masive vizuale të informimit në çdo pikë të kalimit kufitar, si billboard, postera etj. Po ashtu edhe Ministria e Punëve të Jashtme do të sigurojë shpërndarjen e informacionit në mbështetje të riintegrimit të shtetasve shqiptarë të kthyer në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë për të bërë të mundur marrjen e informacionit përpara kthimit në Shqipëri të tyre.

Informimi

Sipas zëvendësministrit parashikohet që informacioni paraprak mbi sportelet e migracionit dhe shërbimeve që ato ofrojnë t’u jepet shtetasve shqiptarë të kthyer gjatë intervistimit në pikën e kalimit të kufirit. Dhënia e këtij informacioni për këtë kategori të kthyerish do të bëhet nga Policia Kufitare dhe e Migracionit përmes një fletëpalosjeje me shpjegime dhe kontakte të sporteleve të migracionit. Këto materiale, sipas Sulkës, do të japin informacion si të hapësh një biznes në Shqipëri, ku të investosh në Shqipëri, për programet mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri, informacion për përkrahjen sociale, informacion për skemat e sigurimeve shoqërore, informacion mbi aksesin në sistemin shëndetësor, skemat e sigurimit shëndetësor, kushtet dhe kriteret e përfitimit, dokumentacioni dhe procedurat etj.

Arsyet e kthimit të emigrantëve

Lidhur me rastet e kthimit pohohet se ato kanë ardhur si rezultat i përvojave negative të migracionit ku përfshihen dështimi në marrjen e statusit të rregullt në vendet e destinacionit, kthimi i detyruar si pasojë e qëndrimit të paligjshëm, sipas përcaktimeve në marrëveshjet e ripranimit apo praktikave të tjera të kthimit në vendin e origjinës.

Në përgjithësi emigrantët shqiptarë me status të parregullt në BE, veçanërisht ata që jetojnë në Itali dhe në Greqi, kanë qenë më të ekspozuar ndaj kthimit të detyruar sesa emigrantët me status të rregullt të kthyer vullnetarisht.

Shifra e të kthyerve

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat e Ministrisë së Brendshme, rezulton se gjatë vitit 2009 janë regjistruar 64.625 raste kthimi, ose 47.239 shtetas shqiptarë të kthyer, prej të cilëve 38.412 janë raste të kapura në kufi ose në afërsi të kufirit dhe 26.213 raste të kapura në thellësi të territoreve te vendeve të origjinës. Ndërkohë motivi i emigrimit në 99.99% të rasteve ka qenë për punësim. Pavarësisht formave të kthimit vullnetar apo të detyruar, të kthyerit mund të klasifikohen si investitorë të mundshëm, emigrantë të kualifikuar ose pa profesion pas kthimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›