E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvarritja e proceseve, avokatët në gjyq

 

Fatos Mahmutaj

Drafti i ri për ndryshime në ligjin për avokatinë pritet të dërgojë para togave të zeza mbrojtësit që zvarrisin qëllimisht proceset gjyqësore. Një fakt i tillë, që pasqyrohet në nenin 15 të projektligjit i jep të drejtë ministrit të Drejtësisë të paraqesë në Gjykatën e Apelit vendimin e Komitetit Disiplinor të Dhomës së Avokatisë për vendosjen për marrjen e masave ndaj avokatëve që zvarrisin proceset, ku masa ekstreme parashikohet të jetë heqja e licencës. Në një prononcim për mediat, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pohoi dje se për çdo lloj shkelje të tillë, joligjore e bërë me dashje për t’u bërë pengesë në procesin gjyqësor, me qëllim për ta sabotuar atë dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga skadenca e afateve të paraburgimit, sepse ky është qëllimi i vetëm që bëhet, do të jetë dikasteri i drejtësisë, i cili do të marrë kërkesat e sjella nga sistemi gjyqësor, do t’i përcjellë pranë Dhomës Kombëtare të Avokatëve, në mënyrë që ata vetë, në instancë të parë të reagojnë ndaj këtyre veprimeve dhe abuzimeve. “Nëse Dhoma Kombëtare e Avokatëve, nuk do reagojë, siç nuk ka reaguar deri tani dhe kjo është për të ardhur keq, Ministria e Drejtësisë do të çojë çështjet sërish para sistemit gjyqësor me qëllim që të jetë gjykata ajo e cila të vendosë heqjen ose jo të licencës ose marrjen e masave të tjera ndëshkimore”, tha Alibeaj, i cili shtoi se: “është ndoshta pak e rëndë për ta thënë që do të duhet t’i referohemi masave ndëshkimore për të rregulluar një sistem, por duket që sensi i vetërregullimit të avokatëve deri më sot nuk ka funksionuar”. Ndërkohë avokatë të ndryshëm të kontaktuar nga gazeta pohuan dje se ligji ua njeh si një mënyrë dhe strategji të mbrojtjes shtyrjen e proceseve gjyqësore kundrejt pezullimit të afateve të paraburgimit. Sipas tyre, kjo është arsyeja që deri tani Dhoma Kombëtare e Avokatisë nuk ka arritur të marrë masa ndëshkimore pas ankesave të ministrisë. Ndërkohë Alibeaj në vazhdim të argumenteve të veta pohoi dje se, drejtësia duhet të jetë veç tjerash edhe jo e vonuar. “Ky është një komponent për të cilin Shqipëria ndoshta mund të bëhet edhe objekt i vendimeve të Strasburgut për dhënie të vendimeve gjyqësore jo brenda kohës së arsyeshme”, përfundoi ministri.

Drafti për ligjin e Avokatisë

Neni 45 ndryshohet, si më poshtë vijon:
1. Komiteti Disiplinor, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, gjykon çështjen brenda 30 ditëve nga data e regjistrimit të materialit për ankim. Ky komitet, me kërkesë të njërës prej palëve, mund të shtyjë, për shkaqe të përligjura, afatin e gjykimit, por jo më shumë se 30 ditë nga data e caktimit të gjykimit. Vendimi i këtij komiteti duhet të jetë i arsyetuar dhe u njoftohet palëve, brenda 3 ditëve nga përfundimi i gjykimit.
2. Vendimi i Komitetit Disiplinor, i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, mund të ankimohet nga pala ankuese/kërkuese ose avokati në Gjykatën e Apelit, Tiranë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.
3.  Në rast mosveprimi të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda afateve të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, ministri i Drejtësisë ka të drejtë të paraqesë në Gjykatën e Apelit, Tiranë, kërkesën për marrjen e masës disiplinore. Ministri i Drejtësisë ka të drejtë ta ankimojë në Gjykatën e Apelit vendimin e Komitetit Disiplinor, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për dhënien e masës disiplinore ndaj avokatit edhe kur ai nuk është subjekti, që ka paraqitur kërkesën/ankesën, në rast se masa disiplinore është më e lehtë, në raport me shkeljen e kryer.”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›