E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurt sociale



OSBE

Investim në fushën e mjedisit

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave do të forcojë bashkëpunimin me OSBE-në në fushën e pjesëmarrjes së publikut në vlerësimin e ndikimit në mjedis, u theksua në Tiranë në një takim me titullarin e kësaj ministrie, Fatmir Mediu, me zv.ambasadoren e përgjithshme të OSBE-së, Renata Herman.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në një njoftim për shtyp, bëri të ditur të shtunën se "bashkëbiseduesit diskutuan për sensibilizimin e popullatës për ruajtjen e mjedisit dhe dhënien e vazhdueshme të informacionit për të". Ky takim u mbajt në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me OSBE-në në fushën e mjedisit. OSBE ka qenë e pranishme në fushën e implementimit të Konventës së Aarhusit, "Konventa për të Drejtën e Informimit, Pjesëmarrjes së Publikut në Vendimmarrje dhe të Drejtës për t’iu Drejtuar Gjykatës për Çështje Mjedisore". Gjithashtu, mes dy palëve ka pasur memorandume bashkëpunimi, të cilat kanë dhënë shtysë për ecurinë e projektit në fushën e informacionit mjedisor dhe zbatimin e kërkesave të Konventës së Aarhusit në Shqipëri.

Dita Botërore e Shtypit

Apel për lirinë e medias

Më 3 tetor, dje në Ditën Botërore të Shtypit, gazetarë nga e gjithë bota apelojnë dhe verifikojnë simbolikisht dhe përmbajtësish lirinë reale për shtypin. Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar dje nëpërmjet një deklarate për shtyp ku ka cilësuar se “kjo liri shtypi në Shqipëri është mjaft problemore. Me shumë mungesa dhe me mjaft deformime. Kjo është liri e pacilësishme dhe e munguar”. Unioni bën thirrje për reagimin e kolegëve që t’i jepet fund lirisë së munguar.

“Në këtë ditë, ne gazetarët shqiptarë ndihemi rob të punës në të zezë”, - vijon deklarata për shtyp e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Në këtë pikë ata theksojnë kushtet e këqija në punë si mungesa e një kontrate pune, e sigurimeve dhe e një statusi juridik në institucionin, entin apo organin e shtypit ku ushtrojnë profesionin.

“Gjatë muajve korrik-shtator 2009, në 25 gazetat ditore të vendit janë larguar nga vendi i tyre i punës 23 gazetarë... Në 27 media të printuara dhe audiovizive të vendit, vazhdon të mbetet në fuqi jokorrektesa për pagesat mujore të gazetarëve dhe stafeve mediatike”, - citohet në deklaratë.

Unioni përfundon me fjalët se liria në gazetarinë shqiptare edhe për shumë kohë do të jetë e munguar dhe gazetari, skllav e rob i punës së zezë dhe me mesazhin se vetëm reagimi është shpëtimi i vërtetë.

MASH bind studentët

Përfundon greva në Universitetin e Vlorës

Një grup pune i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës zhvilloi gjatë ditës së djeshme disa takime me studentët e Fakultetit Juridik, Rektoratin dhe Senatin e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës.

Pas negociatave që u zhvilluan gjatë gjithë ditës mes grupit të punës së ministrisë dhe studentëve, u arrit të gjendej një zgjidhje për formën e diplomës e cila është plotësisht sipas ligjit të arsimit të lartë. Studentët e pranuan këtë zgjidhje dhe e ndërprenë grevën pardje, rreth orës 23:00.

Çdo spekulim se kjo formë e diplomës nuk është në përputhje me ligjin, është keqdashës, dezinformues dhe një mungesë respekti ndaj investimit që kanë bërë studentët së bashku me familjet e tyre, për të kurorëzuar me sukses studimet universitare.

Me këtë rast, MASH falënderon grupin e studentëve për frymën e bashkëpunimit që treguan në bisedimet e zhvilluara me grupin e punës dhe përfaqësuesit e rektoratit të Universitetit të Vlorës.

MASH shpreson në vazhdimin e këtij bashkëpunimi me Rektoratin e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, për të mbyllur në kohë regjistrimin përfundimtar të të gjithë maturantëve fitues në programet e studimit të këtij universiteti, sipas listave të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›