Kryeministri takohet me Kryetaren e Parlamentit të Hungarisë, znj. Katalin Szili

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Hungari, u prit dje në një darkë nga Kryetarja e Parlamentit të Hungarisë, zonja Katalin Szili dhe një delegacion i gjerë parlamentarësh dhe biznesmenësh hungarezë.
Gjatë takimit që parapriu darkën, Kryeparlamentarja Szili i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, si dhe i shprehu konsideratën më të thellë për lidhjet midis dy vendeve dhe vullnetin e mirë për bashkëpunimin mes tyre në shumë fusha.
Kryeparlamentarja Szili shprehu vlerësimet mjaft pozitive për arritjet e Shqipërisë në proceset e integrimit në Bashkimin Europian, për nënshkrimin e MSA-së që është ratifikuar tashmë nga shumë vende, si dhe për ftesën e mundshme në Samitin e Bukureshtit.
Gjithashtu, zonja Szili u ndal në marrëdhëniet mjaft të mira midis dy parlamenteve tona, si dhe shprehu kënaqësinë që shumë biznese hungareze po investojnë ose kanë si projekt të investojnë në Shqipëri dhe të shfrytëzojnë potencialet e saj të vyera.
Kryeministri Berisha e falënderoi kryeparlamentaren hungareze për mikpritjen dhe i shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Parlamentit dhe qeverisë hungareze për integrimin dhe vizionin evropian të Shqipërisë, duke qenë edhe një nga vendet e para që ratifikuan MSA-në. Gjithashtu, zoti Berisha i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë në zhvillimin dhe progresin e Shqipërisë në tërësi, në reformat dhe sfidat e saj.
Gjithashtu, biseda u ndal edhe në pavarësinë e Kosovës, e cila hap perspektiva të reja stabilitetit dhe zhvillimi për mbarë rajonin.
Kryeparlamentarja Szisi shprehu bindjen se rasti i Kosovës është unik në llojin e vet dhe se nuk ka të ngjarë e nuk mund të krijojë precedent për asnjë vend tjetër.
Gjatë kësaj darke, Kryeministri Berisha e njohu Kryeparlamentaren dhe të ftuarit me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në shumë fusha të zhvillimit të vendit, me luftën e pandërprerë kundër korrupsionit dhe informalitetit, me luftën pa tolerancë kundër krimit të organizuar, si dhe me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të rritur mirëqenien dhe për ta afruar Shqipërinë në familjen e madhe europiane dhe euroatlantike.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha e falënderoi zonjën Szili për vendimin e autoriteteve hungareze për vendosjen e bustit të Skënderbeut në Budapest, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën dhe kontributin e heroit tonë kombëtar.