E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri hungarez Gyurcsany: Hungaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Kryeministri Berisha u prit sot, në nje takim te vecante, në Pallatin e Parlamentit, nga homologu i tij hungarez, Kryeministri i Republikës së Hungarisë, zoti Ferenc Gyurcsany. Pas ceremonisë zyrtare, Kryeministri Berisha dhe delegacioni që e shoqëronte zhvilloi bisedime me Kryeministrin Gyurcsany dhe përfaqësuesit e lartë të politikës hungareze.

Kryeministri Gyurcsany i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe u shpreh se ky ishte një takim mes miqsh të vjetër që i dëshirojnë vetëm të mirën dhe zhvillimin njëri – tjetrit.

Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira diplomatike që ekzistojnë mes dy vendeve dhe u shprehën për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në ekonomi, kulturë, arsim, etj. “Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës për vitet 2008-2010 midis dy vendeve tona , që do të nënshkruhet sot,  tregon se këto marrëdhënie do vijnë duke u forcuar më tej.”, u shpreh kryeministri hungarez Gyurcsany.

Kryeministri Gyurcsany theksoi se Shqipëria dhe Hungaria ndajnë të njëjtin vizion për integrimin në NATO dhe në BE, që janë dhe qëllimet më të rëndësishme të Shqipërisë. Ne, vijoi më tej, Kryeministri hungarez Gyurcsany, besojmë në anëtarësimin tuaj në NATO dhe kemi mbështetur prej kohësh aspiratat tuaja për të qenë pjesë e NATO-s.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministrin hungarez për mikpritjen si dhe i shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e sinqertë për zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë. Gjithashtu Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministrin Gyurcsany për mbështetjen që Hungaria ka treguar dhe tregon ndaj procesit madhor të integrimit të Shqiperise në NATO dhe në BE. Shqipëria, u shpreh  Kryeministri Berisha, është e interesuar të përfitojë nga Hungaria dhe nga eksperienca e saj e suksesshme në integrimin në NATO dhe në BE.

Gjate takimit, Kryeministri Berisha e njohu Kryeministri Gyurcsany me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme si në ekonomi, në sistemin fiskal, në modernizimin e forcave të armatosura etj si dhe me luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeministri Berisha theksoi se këto përpjekje të qeverisë kanë bërë që Shqipëria të ketë një klimë të favorshme për investimet e huaja dhe shprehu bindjen se investimet hungareze, të mbështetura nga qeveria shqiptare, janë të mirëpritura dhe do të jenë një histori suksesi.

Gjithashtu Kryeministri Berisha u shpreh se në Shqipëri ekziston një klimë mjaft e mirë bashkëpunimi mes forcave politike, e cila po jep frytet e veta mbi të gjitha proceset dhe reformat në interes të vendit dhe proceseve integruese.

Per sa i perket pavaresise se Kosoves, Kryeministri hungarez Gyurcsany shprehu vlerësimet më të larta për rolin moderator të Shqipërisë në rajon dhe pozicionin e saj në këtë çështje. Kryeministri Berisha u shpreh se ishte vendimtar uniteti i BE-se në pavarësinë e Kosovës dhe se Hungaria ka luajtur këtu një rol mjaft të çmuar.

Ndër të tjera, Kryeministri hungarez Gyurcsany u shpreh se Hungaria është një nga ato vende që ndante të njëjtin mendim me shumë vende të BE se statusi i mëparshëm nuk ishte ai duhuri,  ndaj duhej një marrëveshje mes palëve që për fat të keq nuk u bë e mundur. Hungaria, u shpreh zoti Gyurcsany, pas një procesi politik të duhur do të vijë sigurisht në njohjen e shtetit më të ri të botës.

Pas këtij takimi u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës për vitet 2008-2010.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›