Kryeministri Berisha takon liderin e partisë më të madhe të opozitës Viktor Orban

Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Kryeministri Berisha u takua sot me liderin e djathtë të opozitës hungareze, Kryetarin e Partisë FIDDESZ, zotin Viktor Orban.
Gjatë këtij takimi të ngrohtë e miqësor, Kryeministri Berisha dhe zoti Orban u ndalën gjerësisht në zhvillimet më të fundit në rajon dhe veçanërisht në pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Orban dhe partinë e tij për kontributin e çmuar dhe mbështetjen që kanë dhënë për këtë çështje të vështirë, por që përfundoi me zgjidhjen më të mirë për mbarë rajonin, pavarësinë, si respektim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe si garanci për stabilitetin në rajon dhe respektimin e plotë të të drejtave të minoritetit serb në Kosovë.
Zoti Orban u shpreh se pavarësia e Kosovës është një shprehje e vërtetë paqeje dhe një ndihmë për Serbinë për të parë të ardhmen e përbashkët europiane.
Kryeministri Berisha dhe zoti Orban biseduan edhe mbi projektet madhore të Shqipërisë, integrimi në NATO dhe BE, si dhe mbi vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave në vend dhe në vendosmërinë që qeveria po tregon dhe do të tregojë në zbatimin e tyre.
Zoti Orban e përgëzoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për reformat e thella ekonomike që ka ndërmarrë qeveria e tij, si dhe për rezultatet e shkëlqyera dhe rritjen e admirueshme ekonomike të Shqipërisë në këto 2 vitet e fundit.
Kryeministri Berisha dhe zoti Orban u ndalën edhe në situatën politike në Hungari, vend i cili së shpejti do të përballet me një referendum mjaft të rëndësishëm politik.