Kryeministri Berisha fton biznesin hungarez të investojë në Shqipëri

- Sipërmarrësit hungarezë shfaqin interes për potencialet që ofron Shqipëria në energji, shfrytëzimin e mineraleve, infrastrukturë, turizëm dhe procesin e privatizimeve
Kryeministri Berisha mori pjesë në një mëngjes pune, të organizuar nga Agjencia Hungareze për Investimet dhe Tregtinë (ITD Hungary), ku ishin të pranishëm drejtues të kompanive të mëdha hungareze, përfaqësues të korporatave bankare, të medias, miq të Shqipërisë etj..
Në prezantimin e tij, Kryeministri u ndal gjerësisht në reformat ekonomike dhe fiskale si reduktimi i procedurave burokratike për biznesin, krijimi i “One Stop Shop”, krijimi i një baze ligjore të standardeve evropiane për investimet, ulja e taksave, që e ka bërë Shqipërinë vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë, vendosja e taksës së sheshtë 10 për qind, digjitalizimi i procedurave me aplikimin e e-taksave, e-doganave, e-prokurimeve etj., në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit, informalitetit dhe krimit të organizuar, që ka sjellë rezultate të prekshme.
Shqipëria, - tha Kryeministri - është një vend dinamik, me rritje ekonomike 6 për qind dhe me një shkallë kreditimi të ekonomisë ndër më të lartat. Këto rezultate dëshmohen edhe nga rritja e investimeve të huaja në vend.
Kryeministri Berisha i njohu biznesmenët hungarezë edhe me nismën “Shqipëria një euro”, e cila krijon hapësira të mëdha për investitorët e huaj. Shqipëria, - tha Kryeministri - paraqet potenciale të mëdha në shumë fusha, sikundër ofron tregun më të favorshëm, më të ri, dinamik e me koston më të ulët të punës në Europë, duke u shndërruar atë në një vend tërheqës për sipërmarrjen e huaj.