E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuritë shtetërore me qira, lekët te pronari i tokës



Pronarët e truallit apo objekteve, të cilat janë dhënë me qira nga shteti tek palët e treta, do të dëmshpërblehen direkt për pasurinë e tyre. Kësaj here nuk do të bëhet duke marrë ndonjë kompensim në vend tjetër, por duke gëzuar frytet e pasurisë së tyre. Një udhëzim që mban datën 8 prill të firmosur nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, vendos që të gjitha pasurisë shtetërore që janë dhënë me qira, paratë të kalojnë tek pronari i tokës. Kështu, në rast se një ish-pronar vërteton me anë të një vendimi të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave se trualli apo objekti i dhënë me qira nga shteti për një biznes, është i tij, atëherë me një vendim të posaçëm, të gjitha paratë e qerasë në vazhdimësi nuk do i shkojnë shtetit, por pronarit të tokës. Për të përfituar nga ky vendim, pronari i tokës duhet të paraqesë një kërkesë, një genplan të truallit të tij si dhe çdo dokument të domosdoshëm si nga ish-Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ashtu edhe të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Institucioni që ka lidhur kontratën e qirasë së objektit apo truallit, merr një konfirmim zyrtar nga ZRPP-ja dhe në rast se vërteton pretendimet e pronarit, i kalon atij përfitimin e qirasë. Një konfirmim të tillë do të merret edhe nga Agjencia e Pronave.

Më pas, pronari i tokës dhe biznesi që ka marrë objektin ose truallin për përdorim, nënshkruan një kontratë sipas së cilës, përcaktohet qiraja si dhe mënyra e pagesës së saj. Pronari duhet të bëjë gati dosjen e kalimit të qirasë, e cila përmban një kërkesë, genplanin e pronës, vendimin nga KKP-ja, konfirmimin nga ZRPP-ja, konfirmimin nga AKKP-ja, si dhe çdo dokument tjetër plotësie që tregon vërtetësinë e pronës. Pronari i tokës merr qira për aq metra katrorë truall që është zënë nga aktiviteti.

Pasuritë shtetërore që janë dhënë me qira ose enfiteozë, mund të zgjasin afatin e përdorimit të tyre dhe kjo vetëm në bazë të kritereve të veçanti. Kriteri kryesor është ai i investimit, si dhe të metrave katrorë. Vetëm pasuritë mbi 500 metra katrorë do të kenë mundësi ripërtëritje kontrate. Kështu parashikohet që bizneset që përfitojnë nga programi 1 euro, i shpallur nga qeveria, do të duhet të lënë një garanci prej 10 për qind të investimit që kërkon të kryejë.

Çdo biznes që do të bëjë kërkesë për ripërtëritje kontrate, do të vihet përballë një grimi ekspertësh të Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave, pasi do të matet vlera e investimit të bërë dhe truallit. Në rast se biznesi ka investuar më shumë se 150 për qind të vlerës së truallit, dhe në rast se vërtetohet se toka nuk ka pronar, atëherë mund të shtyhet kontrata e qirasë.

Udhëzimi, likuidohen kreditorët e shoqërive shtetërore

Ministria e Ekonomisë hartoi një udhëzim, sipas të cilit, shumë shoqëri shtetërore do të dalin në ankand dhe me vlerën e përfituar prej tyre, do të kompensohen kreditorët. Pas vitit 1992, mjaft shoqëri shtetërore u kredituan nga shqiptarët, por që gjatë viteve ato falimentuan ose nuk ecën në treg. Asetet e këtyre kompanive do të dalin në shitje dhe prioritarë, sipas udhëzimit, do të jenë pikërisht këta kreditorë. Të ardhurat e realizuara nga likuidimi si shitja e aseteve, arkëtimi nga debitorët, të ardhurat nga qiraja apo fitime të tjera, do të shërbejnë për likuidimin e kreditorëve në mënyrë proporcionale në varësi të fondit të krijuar. Nga ky rregull do të përjashtohen detyrimet fiskale dhe ato sociale, si sigurimet shoqërore, të cilat do të shlyhen tërësisht.

Ankandi

Në udhëzimin përkatës përcaktohen edhe rregullat e ankandit për këto shoqëri. Në fillim do të ngrihet komisioni përkatës me 3 anëtarë, të cilët do të vlerësojnë të gjitha ofertat. Për të gjitha aseset do të ketë një vlerësim sipas tregut. Për shembull në rast se do të ketë metale, vlera e tyre do të përcaktohet nga çmimi në bursë. Pas shpalljes së ankandit, ku fiton ai që ofron më shumë, lidhet edhe kontrata e shitjes. Por udhëzimi shprehet se në rast se ankandi i parë nuk del me sukses, atëherë bëhet një ankand i dytë, por kësaj here, vlera e aseteve do të ulet në 70 për qind. Pra, në rast se nuk shitet në fillim, atëherë prona do të shihet me 30 për qind më lirë në radhën e dytë. Skema është e njëjtë edhe për makineritë dhe pajisjet. Në rast se do të ketë makineri që duhet të shiten, ato do të vlerësohen në bazë tregu. Por në rast se ato nuk shiten herën e parë, atëherë do të ketë një ulje çmimi prej 50 për qind. Një tjetër udhëzim i miratuar pak muaj më parë, shkruan se të gjitha subjektet, të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas genplanit të dokumentacionit të privatizimit, duhet ta blejnë këtë truall deri më 31 maj 2009, si dhe të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht, deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. Pas afatit të përcaktuar, në rastet kur nuk është paguar qiraja dhe nuk është blerë trualli nga pronarët e objekteve apo të ndërmarrjeve të privatizuara, trualli i tyre vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin e subjekteve të shpronësuara dhe, në rastet kur trualli ka pronarë, të njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, trualli i kalon këtij pronari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›