E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta dhe Prifti, nesër votohet heqja e imuniteteve

Kuvendi ka vendosur të përshpejtojë procedurat e heqjes së imunitetit të dy deputetëve, kryetarit të LSI-së, Iliri Meta dhe ish-nënkryetarit të saj, Dritan Prifti, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv. Ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, Kuvendi ka vendosur të mos humbasë kohë, por pa mbushur një javë nga paraqitja e kërkesës nga prokuroria, ka vendosur ta kalojë për votim atë. E mbledhur dje pasdite, konferenca e kryetarëve ka vendosur që seanca plenare për miratimin e raporteve të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit për dhënien e autorizimit, për fillimin e procedimit penal për këta dy deputetë të mbahet nesër. Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi, ka qenë ai që i ka kërkuar Konferencës së Kryetarëve që, Kuvendi të mblidhet në seancë plenare, ditën e mërkurë, datë 16 Shkurt, ora 10:00 për të vendosur lidhur me heqjen e imuniteteve, sipas kërkesave të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkohë gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet mbledhja e dytë e Këshillit të mandateve dhe Imunitetit, i cili do të marrë në shqyrtim kërkesën e prokurorisë për Dritan Priftin, ndërkohë po gjatë ditës së nesërme do duhet që të hartohen dhe dy raportet respektive, të cilat do t’i paraqiten seancës plenare. Dy relatorët e përcaktuar, Viktor Gumi dhe Damian Gjiknuri, do të duhet që përveç mbledhjes së nesërme të këshillit, të punojnë gjatë gjithë ditës, për të bërë gati raportin për rastin e Metës dhe atë të Priftit. Gjithashtu, gjatë kësaj seance, Kuvendi do të diskutojë dhe propozimet e bëra nga grupi parlamentar, për kufizimin e imunitetit, si dhe ato për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Përfaqësuesit e opozitës në Konferencë, Ruçi dhe Dokle, siç bën të ditur vetë Kuvendit, nuk dhanë konsensusin, as për seancën e së mërkurës dhe as për rendin e ditës. Për këtë arsye, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, çështja i kalon për kompetencë Kuvendit, i cili do të vendosë dhe do të procedojë respektivisht në seancën që do të mblidhet ditën e mërkurë, ora 10:00.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›