Prokurimet dhe tenderat në fushën e ndërtimit, rishikohet manuali i çmimeve për institucionet shtetërore dhe bizneset

Luhatjet e çmimeve në treg në fushën e ndërtimit, kanë bërë që, qeveria, të rishikojë manualin e çmimeve aktuale mbi të cilat institucionet në varësi të saj, apo që financohen nga buxheti i shtetit, zhvillojnë tendera apo prokurime publike.
Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë programim të fondeve publike nga buxheti i shtetit apo donatorë të huaj, për efekt planifikimi investimesh për ndërtimin e veprave publike, për të përcaktuar vlerën e fondit limit të veprës orientohen dhe i referohen çmimeve të zërave të punimeve të përcaktuara në sistemin e integruar të manualit të çmimeve të ndërtimit.
Krijimi i sistemit të integruar të informatizimit të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim, unifikon metodologjinë e llogaritjes e të formatit të paraqitjes së preventivave dhe situacioneve, si dhe të analizave teknike të çmimeve, gjë që lehtëson veprimtarinë e subjekteve publike apo private, si dhe lehtëson kontrollin tekniko-financiar në fushën e ndërtimit.
Institucioni përgjegjës për gjenerimin dhe përditësimin e të dhënave në sistemin integruar do të jetë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Të dhënat parësore që përmban sistemi i integruar janë:
a) të dhënat për çmimet mesatare të 4 (katër) elementeve të strukturës së kostos;
b) analizat teknike të çmimeve mesatare për çdo zë pune në ndërtim, për materialet e reja dhe/ose për teknologjitë e reja, të përdorura nga subjektet publike dhe/ose private, që kryejnë veprimtari në fushën e ndërtimit, të prodhimit të materialeve të ndërtimit, si dhe të tregtimit të tyre sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
c) preventivat/situacionet për çdo objekt, të hartuara nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve.
Dhënës të informacionit në sistemin e integruar janë:
a) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
b) Personat fizikë apo juridikë privatë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e ndërtimit;
c) institucionet e administratës publike që planifikojnë investimet për ndërtimin e veprave publike.
Preventivat dhe situacionet
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka të drejta regjistrimi, përpunimi, raportimi, leximi, shkrimi dhe përditësimi për të dhënat e regjistruara në sistemin e integruar.
Subjektet e interesuara do të kenë akses në leximin për sa u përket të dhënave për çmimet mesatare të 4 (katër) elementeve të strukturës së kostos, si dhe analizat teknike të çmimeve mesatare, krijimin e dokumenteve përkatëse, si preventiv apo situacione, si dhe dhënien e informacionit, analizave apo të dhënave për çmimin e elementeve të kostos.
Hartimi i preventivit apo situacionit, si dhe zbatimi i mbikëqyrjes së çdo punimi ndërtimi, që realizohet nga persona fizikë dhe juridikë, publikë ose privatë, me fonde publike ose private, në territorin e Republikës së Shqipërisë, do të bëhet nëpërmjet sistemit të integruar të manualit të çmimeve për zërat e punimeve në ndërtim.
Të gjitha institucionet shtetërore, që kryejnë prokurime të punimeve të ndërtimit me fonde publike nga buxheti i shtetit apo nga donatorë të huaj, në kontrollin e çmimeve për zërat e punës së ofertave të paraqitura në tender, u referohen çmimeve të zërave të punimeve të dhëna në manualin e çmimeve të ndërtimit dhe në analizat teknike të këtyre çmimeve.
Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, përpunon informacionin e ardhur nga subjektet kërkuese, duke e zbërthyer në katër elementet e strukturës së kostos:
a) shpenzimet për pagat bazë dhe shtesën mbi pagën;
b) shpenzimet për materialet;
c) shpenzimet për transportin;
ç) shpenzimet për makineritë;,
dhe nëpërmjet sistemit të integruar i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve çmimet e mesatarizuara në shkallë vendi.
Tatimet
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me marrjen e kërkesës për dhënien e çmimeve të mesatarizuara në shkallë vendi, është përgjegjëse për vënien në dispozicion brenda 15 ditëve të çmimeve të mesatarizuara pas kontrollit nëpërmjet platformës qendrore të menaxhimit të faturave ose hulumtimeve në terren, ministrisë që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit.
Ministria, që ka në përgjegjësinë e saj fushën e ndërtimit, është përgjegjëse për unifikimin dhe përpunimin e analizave të reja me çmimet e mesatarizuara të ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe reflektimin e ndryshimit të çmimeve të mesatarizuara në analizat ekzistuese.
Të gjitha detyrimet tatimore ndaj shtetit dhe detyrimet e tjera, të lidhura me veprimtarinë ndërtuese në fushën e ndërtimit, përfshirë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, llogariten sipas vlerave faktike të punimeve, bazuar në analizat teknike të çmimeve, që përfshihen në manualin e çmimeve të ndërtimit, të zbërthyera sipas strukturës së kostos.
/rtsh.al/a.meta/