Prokurimet publike, Sequi: Të luftohet korrupsioni
Ambasadori i BE-së, në Tiranë Etore Sequi ka kërkuar nga institucionet shqiptare të vijojnë reformën për prokurimet publike në mënyrë që të luftohet korrupsioni pasi sipas tij kjo është edhe një objektiv për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Ndërsa ka prezantuar projektin e BE-së, financuar nga taksapaguesit evropianë për prokurimet publike në vendin tonë, ambasadori Sequi ka theksuar se Bashkimi Europian mbështet qeverisjen e mirë sepse mbështet integrimit e Shqipërisë, por sipas tij reformat duhet të bëhen nga vetë autoritetet shqiptare.
“Ne mbështesim qeverisjen e mirë, sepse ne mbështesim integrimin e vendit në BE. Ne nuk mund të udhëheqim reformën e prokurimeve publike, nuk jemi ne që miratojmë ligjet. Ne besojmë tek një sistem që të përfitojë si biznesi ashtu edhe publiku. Jemi këtu për të ndihmuar por gjithësesi kjo është puna juaj”
Ai ka theksuar më tej se lufta kundër korrupsionit është edhe lufta ndaj keqpërdorimit të parave publike ndërsa ka shtuar se pritet që gjatë këtij viti të ketë një progres më të madh sa i përket luftës ndaj korrupsionit.
“ Këtë vit ne shpresojmë që të jemi në gjendje të raportojmë progresin në luftën kundër korrupsionit. Kjo përfshin edhe luftën kundër keqpërdorimit të parave publike, nuk është detyrë e lehtë, por është e mundshme. Ne besojmë se ky projekt financuar nga taksapaguesit evropiane dhe zbatuar nga dy shtete anëtarë do të ndihmojë në këtë drejtim, në mundësinë e progresit dhe avancimit të vendit drejt integrimit” ka shtuar Sequi.
Sipas tij, projekti i BE-së për prokurimet publike është një ndihmë e madhe për forcimin e aktiviteteve kontraktuese për të luftuar praktika potenciale korruptive, duke përfshirë edhe strategji për kompanitë dhe aktorët për shërbimet prokurimeve publike. “Situata është krijuar si duhet për të gjitha këto që do të thotë se vendi ka mundësinë të sigurojë garë të drejtë për prokurimet publike” tha ambasadori Sequi.