Dogana nis faljen e borxheve për biznesit
Falja e borxhit që biznesi i ka administratës doganore që prej vitit 1992 ka nisur të aplikohet që nga dita e djeshme. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, duke përfituar në një takim me përfaqësuesit e biznesit, i ka njoftuar ata se ka nisur të zbatohet ligji i miratuar në verën e këtij viti për faljen e detyrimeve të prapambetura për biznesit. Dervishi u shpreh se në ligj është përcaktuar falja e detyrimeve doganore dhe tatimore të detyrimeve të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve, asaj të regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, të gjobave e kamatë-vonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, por me kushtin që të paguhet principali brenda një afati kohor prej 6 muajsh. Sipas Dervishit, amnistia fiskale, ose borxhi i biznesit kundrejt administratës doganore, në total arrin në 5 miliardë lekë, ndërsa bizneset janë të detyruara të paguajnë principalin që arrin në vlerën e 2.5 miliardë lekëve. "Borxhi i akumuluar llogaritet që nga viti 1992. Ky llogaritet si borxh i humbur, ose i thënë ndryshe "i shuar", për arsye të ndryshme, vlera prej 1.7 miliard lekësh", - është shprehur Dervishi. Kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, duke e konsideruar "si mjaft të rëndësishëm" këtë hap të qeverisë të ndërmarrë për biznesin, i bëri thirrje atij t'i përgjigjet sa më shpejt zbatimit të këtij ligji, pasi, sipas tij, kjo i hap "dritën jeshile" mundësisë për kërkimin dhe negocimin me qeverinë të "amnistive" të tjera fiskale. Këto deklarata u bënë dje nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, si dhe kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla, të cilët kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim zbatimin e legjislacionit doganor nga biznesi dhe organet e administratës doganore. Sipas kreut të Doganave, Dervishi, marrëveshja synon gjithashtu mbrojtje të interesave të biznesit, ndihmë konkrete në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe bashkëpunim në forcimin e kapaciteteve. Ndërkohë, Zhilla theksoi se nëpërmjet Zyrës për Mbrojtjen e Biznesit, BDHTI do të angazhohet që të ndërmjetësojë në zgjidhjen e fenomeneve negative dhe shqetësuese të ngritura nga biznese të ndryshme, pranë DPD, duke bashkëpunuar në të gjitha rastet kur bizneset do të kërkojnë një gjë të tillë.