E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët, Kuvendit: Larg duart nga Gërdeci

Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë të mos ndërhyjë në dosjet e rëndësishme të organit të akuzës. "Shoqata, ndërkohë, ndjek me shqetësim situatën e përgjithshme kriminale, intensitetin në rritje të veprimtarisë së krimit të organizuar dhe u bën thirrje anëtarëve të saj, të cilët përfaqësojnë Institucionin e Prokurorisë në gjitha shkallët e procedimit penal, që ashtu si deri më sot, të tregojnë profesionalizëm, përkushtim dhe objektivitet në ushtrimin e detyrës, duke mënjanuar çdo lloj ndërhyrjeje e presioni, pavarësisht se nga vjen ai dhe çfarë qëllimi synon", thuhet në njoftimin e prokurorëve, që mban firmën e sekretarit të Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari. Sipas njoftimit, shoqata inkurajon në mënyrë të posaçme prokurorët, anëtarë të saj, që procedojnë në çështje penale të rëndësishme, që kanë për autorë anëtarë të grupeve kriminale si: të ashtuquajturat "Banda e Aldo Bares", të organizatës "Hakmarrja për Drejtësi", çështjen penale të Gërdecit, si dhe procedimet penale në fushën e korrupsionet, etj. "Në kuadër të reformës ligjore, Shoqata e Prokurorëve, si pjesë e rëndësishme e drejtësisë, kërkon që të ketë rol aktiv në diskutimin e projekteve të paketës ligjore", deklarojnë më tej prokurorët, duke iu bashkangjitur kërkesave të gjyqtarëve. Më tej thuhet se shoqata solidarizohet me qëndrimet institucionale të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në marrëdhënie me institucionet e tjera kushtetuese e shtetërore, duke i konsideruar ato në përputhje të plotë me funksionin e saj ligjor. "Kërkohet mbrojtja e parimit të pavarësisë së organit të prokurorisë dhe veprimtarisë së saj ligjore", shkruhet në njoftimin e punonjësve të organit të akuzës, ndërkohë shtojnë se Shoqata dënon frymën denigruese dhe qëndrimet e tjera të këtij lloji, të mbajtura nga institucione e persona me pushtet e imunitet, duke kërkuar dhënien fund të këtyre praktikave, që pengojnë hetimin e gjithanshëm, si dhe procedimin e barabartë dhe të drejtë të çdo autori të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›