Forcat speciale prangosin maniakun dhe trafikantin
Një trafikant femrash dhe një maniak seksual kanë përfunduar në prangat e policisë kryeqytetase gjatë një operacioni të ndërmarrë nga forcat speciale. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se në pranga ka përfunduar Leonard Gëzim Hajdini, 35 vjeç dhe Perikli Nafi Çaushaj, 37 vjeç, të dy banues në Tiranë. Sipas të dhënave nga dosjet penale, Hajdini ishte shpallur në kërkim, pasi është dënuar me dhjetë vjet burg. Sipas vendimit të gjykatës, ky person ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitura dhe për këtë e ka dënuar Gjykata e Durrësit, pikërisht me vendim të datës 5 janar të vitit 2004. Ndërkohë, personi tjetër i arrestuar është dënuar nga gjykata me 16 vjet burg për trafik femrash. Sipas dosjes penale, Çaushaj e ka kryer këtë vepër penale në bashkëpunim edhe me persona të tjerë. Policia shpjegon se Leonard Laze dhe Perikli Çaushaj nga Rrethi i Skraparit dyshohet se kanë trafikuar një 17-vjeçare në Gjermani gjatë viteve 2001-2003. Sipas vendimit të gjykatës, Leonard Laze duhet të vuajë 18 vjet heqje lirie, ndërsa Perikli Çaushaj, 15 vjet burg. Dosja që kanë paraqitur në gjykatë prokurorët mbart edhe letër-porosinë e ardhur nga shteti gjerman, ku dy të pandehurit kanë kryer trafikimin e minorenes G. M., tashmë 21-vjeçare, nga qyteti i Poliçanit. Sipas përpiluesve të dosjes, gjatë vitit 2001-2003, vajza nga Poliçani ishte vetëm 17 vjeçe kur u mashtrua nga dy të pandehurit.