E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, gjenden të vdekur ekonomisti dhe agronomi

Pesë persona kanë gjetur vdekjen gjatë ditës së djeshme në Qarkun e Tiranës. Dy prej tyre janë gjetur të vdekur, duke ngritur edhe dyshimet e policisë për ndonjë ngjarje të mundshme penale, ndërkohë që dy të tjerë kanë vdekur nga aksidente të ndryshme. Ndërsa një i pestë ka vdekur nga një sëmundje, teksa ka qenë i burgosur, pasi ishte dënuar me shtatë vjet burg për një aksident të rëndë. Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 08:50, shërbimet Policisë së Tiranës morën njoftimin se është gjetur i vdekur një person në stacionin elektrik të Uzinës Dinamo, në afërsi të shinave të trenit në Tiranë. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet policore nga ku u formua grupi hetimor, për të sqaruar rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje. U konkludua se viktima është Hysen Ismail Haxhiaj, 44 vjeç, banues në Tropojë, me detyrë shef i Financës dhe Buxhetit, pranë dhomave të paraburgimit në Tropojë. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, nga grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje, paraprakisht u konkludua se vdekja e Hysen Haxhiajt është aksidentale, pasi viktima ka kaluar nëpërmjet shinave të trenit, përgjatë momenteve të ecjes së trenit në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Ndërkohë, policia po heton edhe në pista të tjera në lidhje me këtë ngjarje.

Nga ana tjetër, një person tjetër është gjetur i vdekur në fshatin Gosë të Kavajës. Astrit Kryemadhi, 37 vjeç, me detyrë agronom, dyshohet se është vetëvrarë, duke u helmuar. Policia tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa pesticide, që mendohet se janë përdorur nga viktima.

Ndërsa një viktimë e tretë është shënuar nga aksidentet rrugore. Në lidhje me këtë çështje, policia deklaroi se për konsumim të veprës penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë u krye arrestimi i Liljana Dacit, 35 vjeçe, banuese në Tiranë. Sipas policisë, kjo shtetase, duke qarkulluar në segmentin rrugor Kavajë-Durrës, me automjetin tip "Opel", ka aksidentuar me vdekje Lutfi Gjuzin, 69 vjeç. Viktima, gjatë momentit të aksidentimit, ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin.

Kurse autori i një aksidenti të ndodhur kohë më parë ka vdekur në burg. Burimet policore të kryeqytetit thanë se dje janë njoftuar se në spital ka gjetur vdekjen 61-vjeçari Maliq Mustafaj. Sipas të dhënave nga spitali, ky person vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërkohë që grupi hetimor ka deklaruar se ai ka qenë në burg për një periudhë të gjatë, pasi ishte dënuar me shtatë vjet burg për aksident me pasojë vdekjen e një personi.

Por, një viktimë e pestë është shënuar në rrugën "Don Bosko". Rasti fatal bën fjalë për 54-vjeçarin Ali Mishori. Ky person ka qenë duke zbritur nga shkallët e pallatit, kur është rrëzuar dhe për pasojë ka gjetur vdekjen. Policia tha se për të gjitha rastet po hetohet dhe dokumentet janë dërguar në prokurori.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›