E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në shtëpinë e Thaçit, hetimet në disa pista

Policia në Kosovë po vazhdon hetimet lidhur me incidentin e së premtes në shtëpinë e Kryeministrit Hashim Thaçi. Shërbimi Policor i Kosovës thotë se po analizon provat materiale të marra nga vendi i ngjarjes për të vërtetuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ky rast. Një i ri 19-vjeçar nga Prishtina po mbahet në arrest si i dyshuar për tentim vjedhje në shtëpinë e Thaçit në Prishtinë. Sipas policisë, ai po trajtohet në spital për shkak të plagosjes më armë zjarri nga ana e personelit të sigurimit të Kryeministrit, që e kishte diktuar atë duke u ngjitur në ballkonin e katit të dytë të shtëpisë. Arrestimi i të dyshuarit u bë i mundur me ndihmën e të atit, i cili e paraqiti rastin në polici. Incidenti i së premtes në shtëpinë e Kryeministrit Thaçi ka shtyrë qeverinë të marrë vendim për ngritjen e masave të sigurisë për bartësit e institucioneve. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka takuar krerët e Shërbimit Policor të Kosovës për të diskutuar këtë çështje. Ndërkohë autoritetet kanë paralajmëruar se po bëhen përgatitje për të mbajtur të qetë situatën në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës më 15 qershor. Një zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës tha se policia do të jetë vigjilente për të mos lejuar tensionimin e mundshëm të gjendjes.

Sejdiu

"Kosova asnjëherë s‘ka qenë dhe nuk do të shërbejë si trampolinë e krimit të organizuar, apo edhe të formave të tjera për të destabilizuar vendin", tha Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas një takimi të përbashkët me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe udhëheqësit më të lartë të sigurisë në vend. Presidenti Sejdiu deklaroi se në takimin me krerët më të lartë të vendit kanë biseduar për funksionimin sa më të mirë të institucioneve të Kosovës dhe të organeve të rendit, duke pasur parasysh edhe kompetencat që do të kenë institucionet e Kosovës me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. "Ne çmuam lart angazhimin që kanë bërë MPB në këtë periudhë, por dhe të SHPK-së për gatishmërinë e tyre që të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përsosjen e tyre të mëtejshme profesionale, dhe në këtë drejtim ka vlerësime të mira. Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për luftimin e krimit të organizuar. Thaçi ka lavdëruar Shërbimin Policor të Kosovës për punën efektive që po bëjnë. Natyrisht që ka nevojë për përmirësime dhe do ta kenë mbështetjen e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës, që edhe SHPK të jetë funksional dhe efektiv në të gjithë territorin e Kosovës dhe të kryejë punën me efektivitetin e plotë në kuadër të autoritetit dhe përgjegjësive të shtetit të Kosovës", theksoi Kryeministri Thaçi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›