E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekti, zjarri në fabrikë shkakton 200 mijë euro dëm

Një zjarr i fuqishëm në një fabrikë tekstilesh në Kavajë ka shkaktuar një dëm të madh material, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima në njerëz. Burimet policore bënë të ditur se zjarri është regjistruar në orët e mesnatës, por me gjithë ndërhyrjen e zjarrfikësve nuk është mundësuar shuarja e tij. Sipas të dhënave, rreth orës 01:00 të mëngjesit, Komisariati i Policisë së Kavajës është njoftuar se një zjarr kishte rënë në fabrikën e tekstileve. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet zjarrfikëse, të cilat janë ndihmuar edhe nga forcat e policisë. Veç shërbimeve të zjarrfikësve të Kavajës, në ndihmë për të shuar zjarrin kanë shkuar edhe homologët e Durrësit. Pas rreth një ore, forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë kanë mundur të bëjnë shuarjen e plotë të flakëve, por deri atëherë ishte shkaktuar një dëm i konsiderueshëm material. Pas shuarjes së flakëve, policia tha se ka ngritur edhe një grup hetimor në lidhje me këtë ngjarje, për të zbuluar shkaqet e zjarrit. Nga të dhënat paraprake, grupi hetimor deklaroi se zjarri është shkaktuar nga një defekt në linjën elektrike dhe pasi është dhënë shkëndija, nuk është dashur shumë kohë që flakët të shpërndahen në të gjithë fabrikën. Policia tha se fillimisht u mendua se kishte njerëz në ambientet e fabrikës, por pas verifikimeve rezultoi se ajo nuk kishte brenda asnjë punëtor. Ndërkohë, nga vlerësimi i dëmit, policia tha se janë djegur rreth 200 mijë euro mall.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›