E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, prezanton 6 prokurorët e rinj

TIRANE- Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka prezantuar të Hënën (10.06.2013) gjashtë prokurorët e rinj, të cilët janë dekretuar nga Presidenti i Republikës pak ditë më parë. Prokurorët Adnan Xholi, Rovena Gashi, Madrid Kullolli, Altin Binaj, Alma Muça dhe Kudusi Shahu tashmë janë pjesë e stafit të Prokurorisë së Përgjithshme, duke shtuar në këtë mënyrë kapacitetet hetuese dhe kontrolluese në Prokurorinë e Përgjithshme.

Disa prej prokurorëve të rinj janë emëruar edhe në krye të drejtorive kryesore të institucionit, lëvizje të cilat z. Llalla vlerëson se janë të nevojshme për rifreskimin e strukturave të rëndësishme në Prokurorinë e Përgjithshme.

Prokuror Adnan Xholi do të drejtojë Drejtorinë e Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Prokuror Madrid Kullolli do të drejtojë Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit. Kjo strukturë do të ketë varësi të drejtëpërdrejtë nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili e ka prezantuar si prioritet të mandatit të tij luftën kundër korrupsionit. Prokurore Rovena Gashi do të drejtojë Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

Gjithashtu, prokuror Arqile Koça, i cili ka ushtruar funksionet në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale tashmë do të drejtojë Drejtorinë Gjyqësore dhe të Mbikqyrjes së Vendimeve Penale dhe Vuajtjes së Dënimit.

Nëpërmjet shtimit të prokurorëve dhe rishpërndarjes së tyre, z. Llalla ka forcuar Drejtorinë e Inspektimit, Sektorin Kundër Korrupsionit, si edhe Sektorin e Përgjimeve Telefonike, duke shtuar në këtë mënyrë aftësitë hetuese dhe mbikqyrëse të Prokurorisë së Përgjithshme.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›