Prokurori i SPAK, Adnan Xholi, hyn në garën për Prokuror të Përgjithshëm, kandidati i parë që dorëzon aplikimin në KLP

Prokurori i SPAK-ut, Adnan Xholi, është kandidati i parë që ka dorëzuar aplikimin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke hyrë zyrtarisht në garën.
Xholi është një nga prokurorët me eksperiencë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjatë karrierës së tij ai ka mbajtur edhe detyrën e drejtuesit të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në SPAK, duke qenë pjesë e hetimeve për çështje të rëndësishme.
Emri i tij është bërë i njohur edhe nga garat për drejtimin e SPAK-ut. Xholi ka kandiduar dy herë për postin e kreut të Prokurorisë së Posaçme, por nuk ka arritur të marrë drejtimin e institucionit.
Tashmë Xholi synon një tjetër post të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, atë të Prokurorit të Përgjithshëm. Gara është hapur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi mandati 7-vjeçar i Prokurorit aktual, Olsian Çela, përfundon në muajin dhjetor.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, ndërsa më pas Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë verifikimin e kandidatëve deri më 14 gusht.
KLP do të kontrollojë nëse plotësohen kriteret ligjore dhe kushtetuese, si dhe do të zhvillojë intervista e vlerësime për përvojën, integritetin dhe aftësitë drejtuese të tyre.
Në fund të procesit, KLP do t’i propozojë Kuvendit tre kandidatët më të vlerësuar, ndërsa Parlamenti do të zgjedhë Prokurorin e ri të Përgjithshëm.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/