Hepatitet, shqiptarët u infektuar në vitet 80

Veç regjistrave të spitalit, të cilët rendisin pacientët që trajtohen nga kjo sëmundje në vendin tonë, nuk ka një rrjet të dhënash për numrin e të prekurve nga hepatitet, kjo edhe për shkak se shumica nuk është në dijeni të mbartjes së virusit.
Shumica e pacientëve informohen se janë të sëmurë me Hepatit B ose C, rastësisht kur nisen të kryejnë analiza të thjeshta, por, pas paqartësive të mjekut, i nënshtrohen ekzaminimeve më të hollësishme.
Drejtori i Shëndetit Publik në një konferencë ndërkombëtare, ku u referuan të dhëna dhe strategji të reja lidhur me hepatitet, tha me zë të lartë atë që shoqata e gastrohepatologjisë kishte deklaruar në një nga studimet e saj; mosnjohja e numrit të saktë të të prekurve nga hepatitet para viteve ’90.
“Hepatiti B dhe Hepatiti C kanë probleme që mund të shkaktohen dhe nga vetëshërbimet. Probleme të HBV në Shqipëri mund të jenë shkaktuar dhe nga shëndetësia shqiptare në vitet ’80, gjatë fushatave të mëdha të vaksinimit, për arsye të mungesës së shiringave njëpërdorimshme”, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli.
Sipas tij, pavarësisht krijimit të mundësisë së krijuar për shiringa njëpërdorimshme mbetet të konsiderohet si prioritet siguria e gjakut.
Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë prezantoi Strategjinë Kombëtare të Imunizimit 2009-2013, e cila parashikon futjen e vaksinës së Hepatitit B, e përfshirë në atë pentavalente që në fillim të vitit 2009.
Kontrolli i Hepatitit B në moshat 18 vjeç, si edhe grupet e riskut si dhe testimi i grave shtatzëna për hepatitet virale është një nga prioritetet e kësaj strategjie.