Rimbursimi i barnave, lista në nëntor

Lajmin e ka bërë publike ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Sipas saj, diskutimet e para për listën do të nisin në nëntor, ku do të shikohet edhe mundësia e futjes në skemë të pacientëve me hepatit.
Në konferencën ndërkombëtare të hepatiteve virale, ministrja iu është drejtuar specialistëve, duke u thënë: “Ajo që thoni ju në konferenca, mund të ndryshojë shumë gjëra në listën e medikamenteve të rimbursueshme që do të përgatisim në muajin nëntor”, deklaroi Godo.
Ende nuk është konfirmuar asgjë për sa i takon listës së dytë të barnave me rimbursim, projekti i Institutit të Kujdesit Shëndetësor.
Kjo listë u prezantua si një projekt ambicioz, por që nuk gjeti zbatim këtë vit, për shkak të buxhetit. Sipas projektit, nga kjo listë do të përfitonin kategori të caktuara pacientësh, të cilët i blejnë ilaçet me çmim të shtrenjtë.
Nëpërmjet listës, shteti do të favorizonte këto kategori, duke i paguar gjysmën e çmimit të faturës.
Disa nga sëmundjet, të cilat do të ishin në këtë skemë ishin tumoret, hepatitet, sëmundjet e gjakut, si dhe sëmundje të tjera, të cilat e kanë faturën e shtrenjtë për trajtim.