E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Asambleja voton rezolutën e Ramës, rrëzon Blushin

Pas 8 orësh diskutime me dyer të mbyllura, Asambleja Kombëtare e PS-së miraton rezolutën e Edi Ramës


TIRANË - Partia Socialiste vlerëson se zgjedhjet e 28 qershorit ishin jashtë standardeve të kërkuara dhe se rezultati i dalë prej tyre, për shkak të manipulimeve, nuk reflekton vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.


Për rrjedhojë, kjo forcë nuk e njeh këtë rezultat, pavarësisht se do të marrë pjesë në jetën parlamentare të legjislativit të ri që pritet të konstituohet në javën e parë të shtatorit. Ky është qëndrimi tashmë zyrtar i selisë rozë, i miratuar me shumicë votash në formën e një rezolute dje nga Asambleja Kombëtare, si forumi më i lartë vendimmarrës mes dy kongreseve.


Rezolutat


Partia Socialiste ka kaluar dje me sukses një nga provat më të vështira të pjekurisë së demokracisë së brendshme të saj, ku dallimet në qëndrimet mes individëve nuk kanë penguar që së fundi kjo forcë të ketë një qëndrim të vetëm për sa u përket zgjedhjeve dhe hapave që do të hidhen më pas.


Për më shumë se 8 orë rresht, Asambleja Kombëtare e kësaj force ka diskutuar rreth dy qëndrimeve të prezantuara në këtë mbledhje në formën e dy projektrezolutave, njëra ajo zyrtarja, e lexuar prej kryetarit Edi Rama dhe tjetra si propozim i një grupi prej 35 anëtarësh të këtij forumi (gjatë mbledhjes disa prej firmëtarëve si Artan Lame u distancuan prej saj), të përfaqësuar nga Blushi, Malaj, Islami dhe e lexuar prej anëtares së kryesisë, Mimoza Hafizi.


Pavarësisht se gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e projektrezolutës së dytë kanë tentuar për të afruar qëndrimet dhe për të miratuar një rezolutë të përbashkët, duket se një gjë e tillë ka qenë thuajse e pamundur për shkak të qëndrimit parimor që mbanin palët në lidhje me njohjen ose jo të zgjedhjeve.


Kështu, pika e ngërçit ka qenë pothuajse pika e dytë e rezolutës së propozuar prej Ramës, sipas së cilës PS-ja, "e vlerëson rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit".


Ndërkohë që për të gjitha qëndrimet e tjera, ky grup në minorancë ka qenë i gatshëm që t'i pranojë. Ka qenë Bashkim Fino ai që ka propozuar "martesën", siç është quajtur dje shpesh nga anëtarët e asamblesë tentativa për t'i shkrirë këto dy projektrezoluta në një, tentativë e cila nuk mundi të bëhej realitet.


Ndërkohë që një nga hartuesit dhe mbrojtësit më të mëdhenj të këtij drafti alternativë, Ben Blushi, në fjalën e vet të bërë gjatë këtij diskutimi ka kërkuar që të hiqet nga pika e dytë e rezolutës së Ramës vetëm fjala e "papranueshme" për zgjedhjet.


"Hiqni fjalën e papranueshme nga pika e dytë e rezolutës suaj dhe kompromisi për të dalë me një rezolutë është i arritur", bëhet e ditur se ka thënë Blushi. Por, një propozim i tillë është konsideruar i papranueshëm nga anëtarët e asamblesë, të cilët kanë vlerësuar se papranueshmëria e rezultatit nuk ka të bëjë me vlerën juridike, por me atë politike.


"Më vjen keq për mikun tim Ben Blushi se në këtë rast papranueshmëria e rezultatit të zgjedhjeve ka vlerë politike dhe jo juridike, pasi ne e njohim Parlamentin e dalë prej tij, pavarësisht legjitimitetit të cunguar të tij", - mësohet të jetë shprehur deputeti Taulant Balla.


Ai që i ka vënë kapak debatit për bashkimin e rezolutave ka qenë kreu i asamblesë, Gramoz Ruçi, i cili ka deklaruar se projektrezolutat kanë objekte të ndryshme dhe për rrjedhojë s'mund të bashkohen. "Rezolutat nuk mund të bashkohen, sepse kanë objekt të ndryshëm, prandaj duhet të votohen të ndara", - ka thënë Ruçi në këtë mbledhje.


Vendimi


Në fund të mbi 35 fjalimeve të mbajtura në këtë mbledhje, Asambleja ka konkluduar në vendimmarrjen e saj nëpërmjet votës. Kështu, draftrezolutat janë hedhur në votim të veçuara.


Por votimi për alternativën nuk ka qenë i nevojshëm, për shkak se projektrezoluta e propozuar prej Ramës ka mundur të marrë rreth 150 vota pro dhe vetëm 15 vota kundër.


Ata që votuan kundër rezolutës së Ramës ishin thuajse një pjesë e mirë e firmëtarëve të projektrezolutës alternative, si Blushi, Islami, Bello etj., por ku nuk u përfshinë në votim Malaj dhe Idrizi.

Tabelë

Anëtarët e asamblesë që votuan kundër rezolutës së Ramës

Ben Blushi
Kastriot Islami
Musa Ulqini
Elmaz Sherifi
Marko Bello
Ylli Bufi
Flamur Hoxha
Luan Hajdaraga
Rapush Tola
Ylli Manjani
Mimoza Hafizi
Eva Allushi
Edlira Haxhiymeri
Rajmonda Stefa
Ermira Danaj



Rezoluta e kryetarit të PS-së, Edi Rama:
Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi:

T'i konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi e humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore standardet demokratike evropiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor e të rezultatit të tij.


Ta vlerësoje rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit.


Të konsiderojë me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t'i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Kuvendit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit.


Të distancohet hapur nga çdo rrugë e përpjekje për t'i imponuar Partisë Socialiste, opozitës në tërësi e opinionit publik, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor, që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe të nxisë komunikimin intensiv të kësaj force të madhe politike me qytetarët shqiptarë e komunitetin ndërkombëtar për gjendjen kritike të demokracisë në vend.


Të afirmojë vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor me të gjithë instrumentet ligjorë e kushtetues, të shprehë predispozitën e plotë të forcës sonë politike për të përdorur çdo mjet demokratik për këtë qëllim, si dhe të bëjë publikisht të qartë angazhimin tonë për një opozitë pa kompromis me një qeveri pa mandat politikisht legjitim.

Debatet

Ben Blushi: "Të jenë mediat të pranishme gjatë diskutimeve në asamble, pasi ky forum është Parlamenti i partisë dhe ne nuk kemi pse të tregohemi jo transparentë"

Gramoz Ruçi: "Nuk besoj se qëllimi i kësaj kërkese është që të përsëritet KPD-ja e 2001-shit"

Servet Pëllumbi: "Nuk është koha për përçarje, por për të administruar siç duhet atë që kemi. Ne duhet të shkojmë në Parlament për të bërë rolin që na takon dhe për të kërkuar hetimin parlamentar të votës së vjedhur. Ndërkohë, duhet të bëhet një analizë e thellë dhe të mos biem preh e provokimeve të Berishës.


Të ngremë një grup pune për të përgatitur kongresin dhe zgjedhjet e ardhshme partiake. Të shihet mundësia që në statut të vendoset një pikë që për të gjithë deputetët që do të tentojnë të kalojnë në krahun tjetër, t'u bjerë mandati"

Raimonda Stefa: "Statuti i partisë parashikon ndërprerjen e mandatit në rast humbjeje në zgjedhjet parlamentare, ndaj duhet të respektosh këtë pikë të statutit dhe të largohesh nga drejtimi i partisë"

Edi Rama: "Ju dashnorët e statutit e kuptoni, atë unë thashë edhe në rezolutën që prezantova. A dini të lexoni që unë thashë do të zbatoj statutin"

Fatmir Xhafaj: "Ky proces është i kontestueshëm, për rrjedhojë, dhe rezultati i dalë prej tij është i kontestueshëm.


Edhe në raportin e ndërmjetëm të OSBE-ODIHR-it u konstatuan parregullsi të mëdha. Edhe nga burime tona bëhet e ditur se edhe raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it do të jetë po aq i ashpër sa edhe i pari. Prandaj nuk ka asnjë kuptim që ne të pranojmë një rezultat të deformuar"

Erion Braçe:


"Ju nuk keni asnjë provë që të na provoni se zgjedhjet ishin zgjedhje të ndershme dhe të pranuara nga vëzhguesit. Ka ndodhur e kundërta që, ne kemi prova që zgjedhjet kanë qenë në kundërshtim me ligjin, në shkatërrim të plotë të standardeve.


Kështu që provat ekzistojnë për të mos njohur zgjedhjet. Unë po ju them që nuk e njoh rezultatin. Dua t'ju them që e drejta për të njohur rezultatin e zgjedhjeve nuk penalizon Edi Ramën, por favorizon Sali Berishën dhe më ngjan me një viagër që vrau një plak 63-vjeçar në motel. Unë besoj se Sali Berisha ka po këtë moshë"


Artan Lame: "Fituesi legjitim i këtyre zgjedhjeve është Sali Berisha, prandaj përveç hapave të tjerë, të dorëhiqet edhe kryesia, pasi edhe ajo ka përgjegjësinë e saj për rezultatin"


Taulant Balla: "Si s'të vjen turp more që thua këtë. Si i ka fituar Sali Berisha zgjedhjet, si mundet të thuhet një gjë e tillë nga ti, pasi ke qenë edhe zëvendësministër i kësaj partie"


Gramozi -Islamit: Ndërsa fjalën e kishte Saimir Tahiri, Kastriot Islami nisi të flasë nga vendi dhe të kritikonte qëndrimet e Ramës. Në këtë moment ndërhyn Ruçi dhe i thotë: "Ti Kastrot flet dhe shan gjithmonë kur nuk janë kryetarët në sallë".


Blushi: "Hiqni fjalën e papranueshme nga pika e dytë e rezolutës tuaj dhe kompromisi për të dalë me një rezolutë është i arritur"


Balla: "Më vjen keq për mikun tim Ben Blushi, se në këtë rast papranueshmëria e rezultatit të zgjedhjeve ka vlerë politike dhe jo juridike, pasi ne e njohim Parlamentin e dalë prej tij, pavarësisht legjitimitetit të cunguar të tij. Prandaj, ky është një dallim shumë i madh. Z. Blushi ka harruar qëndrimin e z.


Nano në 2005-ën, ku deklaroi se nuk njeh politikisht rezultatin e atyre zgjedhjeve që i organizoi vetë, megjithëse juridikisht forca jonë nuk e vuri në dyshim pjesëmarrjen në Kuvend. Këtu është shumë e qartë se kërkohet të zhvendoset vëmendja dhe përgjegjësia nga hajduti tek roja. Ne duhet të dënojmë hajdutin, që është Sali Berisha se sa për rojën, ne s'kemi ç'të themi, se nuk ka qenë detyra e Ramës të ruajë ato, por e jona"

Fino: "Pavarësisht dallimeve që ekzistojnë parimisht për këto zgjedhje, ne besoj se kemi mundësi që të arrijmë të gjejmë një zgjidhje të mesme për t'i bashkuar këto rezoluta, pasi siç shihet, ato nuk kanë shumë dallime, por janë thuajse të njëjta"

Ruçi: "Rezolutat nuk mund të bashkohen, sepse kanë objekt të ndryshëm, prandaj duhet të votohen të ndara. Kjo pasi rezoluta e lexuar nga kryetari i partisë përqendrohet vetëm tek mosnjohja e zgjedhjeve, ndërsa ajo e propozuar nga disa anëtarë këtu ka një objekt më të shpërndarë, pasi nis me qëndrimin për zgjedhjet dhe shkon deri aty sa të përcaktojë hapat për zgjedhjen e kryetarit të ri. Prandaj nuk mund të bashkohen".

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›