E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, Kushtetuesja shpall mbarimin e mandatit të Putos

Largimi i Kujtim Putos shënon dhe nisjen e një procesi të thellë reformimi në këtë gjykatë

TIRANË - Ndërsa Partia Demokratike ka filluar të rendisë kërkesat për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit ka filluar procedurat e lirimit të anëtarëve të vjetër, që u mbaron mandati. Në një mbledhje krejt formale, Gjykata Kushtetuese, me pjesëmarrjen e 8 gjyqtarëve mori në shqyrtim dhe miratoi në seancë gjyqësore me dyer të hapura kërkesën e Kryetarit të saj, Vladimir Kristo, për deklarimin e përfundimit të mandatit të gjyqtarit, Kujtim Puto. Ai është emëruar anëtar i kësaj gjykate me dekret të presidentit në datë 26.3.1998 për një mandat 12-vjeçar. Por, nga të dhënat rezulton se Puto, betimin para Presidentit të Republikës e ka bërë në datën 01.04.1998 dhe për rrjedhojë bazuar në nenin 179/1 të Kushtetutës si dhe në nenin 8/3 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", kjo datë konsiderohet edhe si datë e mbarimit të mandatit të tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, ka zhvilluar dje një seancë për respektimin e procedurave, duke vendosur deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Largimi i Putos shënon dhe nisjen e një procesi të thellë reformimi që do të përfshijë institucionin e Gjykatës Kushtetuese, pasi pas tij pritet të largohen edhe 5 gjyqtarë të tjerë, Fehmi Abdiu, Sokol Sadushi, Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza, të cilëve, gjithashtu, u mbaron mandati. Gjithçka është një koincidencë, por që pritet të krijojë një situatë të nderë jo vetëm në këtë institucion, por edhe në klasën politike, e cila shpesh herë e ka parë këtë gjykatë si mundësinë e vetme për të frenuar abuzimin e mazhorancave qeverisëse. Kështu, Abdiut dhe Sadushit, të cilët janë edhe më të vjetrit në këtë institucion në mes të muajit prill u mbaron mandati 12-vjeçar. Të dy ata, ashtu si edhe Puto, janë zgjedhur në vitin fillim të vitit 1998, sipas dispozitave të atëhershme kushtetuese për një mandat 12-vjeçar, i cili mbaron pikërisht në këtë periudhë. Anëtari i katërt që largohet është Admir Thanza, i cili është zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese për një mandat plotësues të vendit të mbetur vakant pas daljes në pension gati një vit më parë të ish-kryetarit Gjergj Sauli, i cili gjithashtu ishte zgjedhur sipas dispozitave kushtetuese për një mandat 12-vjeçar. Thanza ushtron funksionin e anëtarit të kësaj gjykate që nga muaji shkurt i vitit 2009-të. Gjykatën do ta lërë edhe gjyqtari Xhezair Zaganjori, i cili është zgjedhur anëtarë në vitin 2003 për një mandat plotësues, të një anëtari të mëparshëm të kësaj gjykate i zgjedhur edhe ai sipas dispozitave kushtetuese për një mandat 12-vjeçar. I vetmi gjyqtar që i mbaron mandati kushtetues 9-vjeçar është Petrit Plloçi, i cili është zgjedhur anëtar i kësaj gjykate në vitin 2001. Por, përveç largimeve, Gjykata Kushtetuese në muajin qershor duhet të zgjedhë edhe kreun e saj të ri, pasi Vladimir Kristos i mbaron mandati 3-vjeçar si kryetar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›