E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, 200 mijë lekë gjobë për dy të rinjtë tepelenas

12/02/2009  Protestuan kundër Bollonas dhe Kserës. Tubohen qindra qytetarë në përkrahje të tyre

GJIROKASTËR - Prokuroria e Gjirokastrës i përfaqësuar nga prokurori Përparim Melaj, ka kërkuar zyrtarisht Gjykatës së Shkallës së Parë të këtij rrethi, dënimin me 100 mijë lekë të reja për secilin ndaj dy të rinjve nga fshati Toç (Tepelenë), Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili, të cilët akuzohen nga organi i akuzës, për organizim të një tubimi nacionalist në qershor të vitit të kaluar, kundër Vasil Bollanos dhe Spiro Kserës, dy prej drejtuesve kryesorë të OMONIA-s. Në përfundim të seancës së pestë prokurori Melaj ka argumentuar përpara trupit gjykues, kryesuar nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa, veprën penale që dy të rinj kanë konsumuar më 6 qershor të vitit të kaluar, gjë që është kundërshtuar menjëherë nga avokati mbrojtës Xhafer Meci. Ky i fundit i ka kërkuar trupit gjykues që dy klientët e tij të lirohen menjëherë nga akuzat dhe organi i Prokurorisë të filloj hetimet ndaj drejtuesve të lartë të policisë lokale që nuk kanë lejuar banorët e fshatit Toç të rrethit të Tepelenës të protestojnë paqësisht. Në sallë ishin të pranishëm përfaqësues të disa shoqatave atdhetare, si ajo e “Mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve”, “Çamëria”, “Fieri” etj. Këta të fundit, përpara se të fillonte seanca gjyqësore kanë protestuar paqësisht në sheshin kryesorë të qytetit të Gjirokastrës, në lagjen “18 Shtatori”. Tubuesit kanë kërkuar që të ndalohen të gjitha veprimet antikombëtare dhe njëkohësisht lirimin e dy të rinjve nga çdo akuzë e ngritur. Vendimi mbi dy të rinjtë do të jepet në fillim të javës së ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›