Prokuroria: Arrestimi i dy oficerëve, i paligjshëm

Kryekomisari i vrarë, Adem Tahiraj dhe Polici i arrestuar, Kastriot Gosturani
Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kërkojë sot në Gjykatë deklarimin e paligjshëm të arrestimit për dy policët e Komisariatit të Shijakut, të vënë në pranga pas vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj.
Sipas burimeve hetimore, shoferi i shefit të Komisariatit, shtetasi Fatmir Hoxha, me gradë “Inspektor” dhe efektivi tjetër i Policisë, Kastriot Gosturani, janë vënë në pranga pa vendim gjykate a urdhër ndalim nga prokuroria në rrethana që nuk i përmbushin kushtet e flagrancës.
Dy efektivët e Komisariatit të Shijakut u arrestuan nga SHKB e Ministrisë së Brendshme pasditen e 20 shtatorit, ndërsa kryekomisar Adem Tahiraj u vra më 13 shtator 2012. Për rrjedhojë, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka tërhequr dosjen nga Durrësi, mësohet se do t’i kërkojë Gjykatës vlerësimin e arrestimit të policëve si të paligjshëm dhe caktimin ndaj tyre të masës arrest me burg.
Sipas burimeve nga hetimi, dy policët e arrestuar akuzohen se kanë kryer veprën penale shpërdorim detyre, me pasoja të rënda. Ata nuk kanë ndërhyrë kur kanë parë Ilir Xhakjen që ka mbërritur në vendngjarje me armë në brez. Shoferi Fatmir Hoxha ka hyrë mes kryekomisarit Adem Tahiraj dhe 38-vjeçarit Xhakja duke qëndruar me shpinë nga ky i fundit e duke penguar në vetëmbrojtje titullarin e Policisë së Shijakut.
Pasi ka shtënë pesë herë nga pas shpinës së Fatmir Hoxhës duke vrarë kryekomisarin, Ilir Xhakja është larguar qetësisht nga vendngjarja pasi ka hipur në makinë, por dy policët e pranishëm në vendngjarje, të pajisur me armë zjarri e municion, nuk kanë vepruar.
Në përfundim të hetimeve paraprake, SHKB e Ministrisë së Brendshme arriti në përfundimin se dy policët mund ta parandalonin ngjarjen kur panë afrimin e personit me armë pa leje te vendi ku Adem Tahiraj kishte bllokuar makinën e nipit të Ilir Xhakjes dhe më pas dy policët mund ta arrestonin autorin e vrasjes së zyrtarit të Komisariatit, por nuk vepruan në asnjë rast. Dosja penale ndaj dy inspektorëve të Policisë së Shijakut është tërhequr nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi akuza e ngritur ndaj tyre lidhet me ngjarjen që po hetohet nga ky institucion që prej ditës së parë. Ditën e sotme pritet që dy efektivat e Policisë të njihen me masat e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.