E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nju Xhersi, shqiptari dëshmon për sulmin në "Fort Dix"

Shqiptaro- maqedonasi i akuzuar për sulmin terrorist që ishte planifikuar të kryhej në bazën ushtarake amerikane Fort Dix në Nju Xhersi të SHBA-së dëshmoi në gjykatë. Sipas tij të arrestuarit ishin stërvitur për luftën e shenjtë të Xhihadit. 

NJU XHERSI - Pesë personat e akuzuar se planifikonin te kryenin sulme terroriste në bazën amerikane “Fort Dix” të cilët u arrestuan dy vjet më parë, janë stërvitur për luftë të shenjtë. Deklarata erdhi gjatë dëshmisë së informatorit Shqiptar të FBI-së, Besnik Bakalli, gjatë seancës së djeshme gjyqësore që po zhvillohet në Nju Xhersi, kundër pesë të dyshuarve, tre prej cilëve janë shqiptarë nga Maqedonia. Sipas informatorit të FBI-së, Bakalli i cili kishte mundur të infiltronte në grupin që dyshohet se kërkonte të kryente sulme terroriste mbi bazën Ford Dix, të pesë të arrestuarit po stërviteshin për Xhihad, e njohur ndryshe si lufta e shenjtë. Sipas 31 vjeçarit Bakalli, të pesë personat flisnin pa mbarim për Islamin, për luften mes botës myslimane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe respektin që kishin për Osama Bin Ladenin. Gjyqi po zhvillohet ndaj shtetasve Dritan Duka, 28 vjeç, Shain Duka, 26 vjeç, Elvid Duka, 23 vjeç të cilët jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe dy shtetasve të huaj të cilet dyshohen si bashkëpunëtore të tyre. I arrestuar ka qenë dhe shqiptari tjetër, Agron Abdullahu. Ata janë akuzuar për “vrasje në tentativë të ushtarëve amerikanë të “Fort Dix”, akuzë kjo që mund t’i çojë deri në burgim të përjetshëm. Juria që do të japë vendimin përbëhet nga 11 veta, tetë prej të cilëve janë femra. Arrestimi i tyre u bë pasi në bazë të disa provave dhe xhirimeve në videokaseta DVD, u zbulua se ishin duke përgatitur një sulm të armatosur kundër bazës ushtarake të “Fort Dix” në Nju Xhersi, ku stërviten ushtarët që nisen për në Irak.

(s.g/e.k/NEWS24/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›