E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Dy policë, nën akuzë për torturë ndaj të arrestuarve

Masa Akuza e Tiranës fillon hetimin për Alfons Gjonin dhe Klodian Balën

Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzë për “torturë” dy punonjës policie, pasi kanë rrahuar një të ndaluar, megjithëse ky i fundit nuk kishte bërë rezistencë gjatë momentit që u përball me dy policët. Alfons Gjoni dhe Klodian Bala janë marrë të pandehur, pasi dyshohet se kanë ushtruar torturë ndaj të arrestuarve Pajtim Serani, Enea Gega dhe Shamet Mejdani mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 2009. Disa javë më parë, Avokati i Populli i ka rekomanduar drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës që të fillojë hetimin për dy punonjësit e policisë. Rekomandimi bënte fjalë për torturimin e tre personave. Vetë të ndaluarit u ankuan në zyrën e Avokatit të Popullit. Pajtim Serani pretendonte se në datë 29 dhjetor 2009, rreth orës 20.00, ka shkuar për të takuar një shok në lagjen Tirana e Re. Sapo ka shkuar në vendin e takimit, janë dëgjuar të shtëna armësh dhe ata nga frika janë larguar me vrap. Gjatë rrugës është ndaluar nga një punonjës policie, i cili me pistoletë në dorë i ka bërë thirrje që të ndalonte dhe të mos lëvizte nga vendi. Ankuesi i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë, ka qëndruar në vend dhe ka ngritur duart lart. Punonjësi i policisë e ka shtrirë në tokë atë dhe e ka lidhur me pranga. Pas këtij momenti aty kanë ardhur rreth 7-8 policë të tjerë. Policët, sipas Seranit, pa pasur asnjë shkak ligjor, sepse ankuesi nuk ka bërë rezistencë ndaj tyre dhe nuk i ka kundërshtuar ata, kanë filluar që ta godasin atë në mënyrë barbare me shqelma, me grushte dhe me armë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. E kanë marrë zvarrë dhe e kanë hipur në një makinë policie, duke e dërguar në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë. Sërish kanë filluar që ta godasin. Ankuesi ka humbur ndjenjat dhe i ka rënë të fikët. Policët i kanë hedhur ujë dhe pasi u përmend kanë filluar sërish ta godasin. Kjo skenë është përsëritur disa herë. Nga goditjet e policëve atij i janë shkaktuar dhimbje të forta dhe plagë të dukshme në kokë, në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit. Zyra e Avokatit të Popullit, nga inspektimi i kryer për këtë rast, ka konstatuar se ankuesi Pajtim Serani është torturuar nga dy punonjësit e policisë Alfons Gjoni dhe Klodian Bala. Për këtë rast i kanë kërkuar Prokurorisë së Tiranës të fillojë një hetim dhe të identifikojë punonjësit e tjerë të policisë që kanë marrë pjesë në shoqërimin dhe dhunimin fizik të ankuesit. Ndërkohë, reagimi i akuzës ka qenë i shpejtë, duke marrë të pandehur dy punonjësit e policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›