E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, Fazliçit: Hajde të pyetesh para 28 shkurtit

Burime zyrtare të organit të akuzës thanë se ftesa për paraqitje është nisur drejt Londrës e Bosnjës dhe janë në pritje të një përgjigjeje. Avokati la të hapur mundësinë për mbërritjen në Shqipëri të serbo-boshnjakut. 

TIRANE- Prokuroria e Tiranës fton serbo-boshnjakun Damir Fazliç, i dyshuar për pastrim parash në Shqipëri, të paraqitet për të dhënë shpjegime jo më larg se data 28 shkurt 2009. Burime zyrtare të organit të akuzës thanë se ftesa për paraqitje është nisur drejt Londrës e Bosnjës dhe janë në pritje të një përgjigjeje. Ashtu sikurse parashikohet në ligj, organi i akuzës e ka vënë në dijeni biznesmenin për çfarë do të pyetet, jo pyetje konkrete, por nëpërmjet një përmbledhjeje të situatës. "Nuk kemi ende një përgjigje. Por fundi i muajit shkurt është afati që i kemi vendosur Damir Fazliç për paraqitjen në prokurori", - tha një burim zyrtar nga Prokuroria. Ndërkohë, Genci Gjokutaj, mbrojtësi ligjor i biznesmenit serbo-boshnjak tha se pasi të njihet me ftesën për paraqitje të prokurorisë, klienti i tij do të vendosë nëse do të vijë apo jo në Shqipëri për t'u përballur me prokurorët e çështjes. Gjokutaj la të hapur mundësinë për mbërritjen në Shqipëri të serbo-boshnjakut, por pa përcaktuar një datë të saktë. Damir Fazliç dyshohet për pastrim parash në Shqipëri. Për të hedhur dritë mbi aktivitetin e tij, prokuroria ka kërkuar nëpërmjet letërporosive informacion në bankat e Zvicrës, si dhe për kompanitë tregtare që mendohet se ka në Bosnje dhe Qipro. Deri më tani nuk ka mbërritur asnjë përgjigje për letërporositë.
(s.g/GSh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›