Kapet për mashtrim ish-polici
TIRANE - Policia e Tiranës arrestoi një ish-efektiv policie të dënuar për trafik qeniesh njerëzore, të kërkuar tashmë për akuzën e vjedhjes me anë të mashtrimit. Burimet zyrtare thanë se është arrestuar David Makaj, 45 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë. "Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, me vendim të datës 7 janar 2009, ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg", për veprën penale të "vjedhjes me anë të mashtrimit". Thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, menjëherë pas kapjes në Tiranë, ish-polici do t'i dorëzohet Drejtorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme. Ndërkaq, nga burimet zyrtare është mësuar se i arrestuari David Makaj, është një ish-efektiv i policisë së Portit të Durrësit, i arrestuar edhe më parë në vitin 2004 për akuzën e trafikut të qenieve njerëzore. Më 27 maj 2004, ish-polici Makaj ka rënë në pranga së bashku me disa kolegë të tij në polici dhe në SHISH, me akuzën se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë tentuar të kalojnë në Itali me dokumente të falsifikuara shtetaset A.B, banuese në Durrës, dhe D.C, banuese në Berat.