Prokuroria: Hetuam 129 zyrtarë për korrupsion

RAPORTI VJETOR
Sipas organit të akuzës procedimet e policisë për vitin e kaluar në lidhje me korrupsionin kanë shënuar ulje. Rritet kultivimi i bimëve narkotike
TIRANË- Vetëm gjatë vitit të kaluar, prokuroria ka hetuar 129 zyrtarë shtetërorë të akuzuar për korrupsion. Kjo shifër është pranuar nga kryeprokurorja Ina Rama në raportin e saj vjetor që ka dorëzuar në Kuvend. Por raporti i institucionit të hetimit kundërshtohet fuqimisht nga qeveria, e cila ka hartuar një raport paralel.
Të dy pritet që të përplasen në Komisionin e Ligjeve. Në lidhje me raportin e qeverisë, ka pasur debate dhe mos pajtime mes dy institucioneve lidhur me rastet e shkeljeve të konsideruara në Raport nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në prokuroritë e rretheve të ndryshme në vend.
Prokuroria nga ana e saj shkeljet e cilësuara nga Ministria e Drejtësisë, nuk i ka quajtur si të tilla duke pohuar se vetëm një pjesë e vogël e tyre mund të konsideroheshin si të tilla. Ndërkaq, raporti i firmosur nga kryeprokurorja Ina Rama, mbart me vete përshkrimin e punës një vjeçare të institucionit të akuzës në nivel kombëtar, për vitin e kaluar.
Nga analiza e të dhënave të ofruara nga puna njëvjeçare e Prokurorive të Rretheve dhe Apelit, të renditura në raport, bëhet e ditur se kriminalitetit në Shqipëri gjatë vitit 2009, për disa vepra penale është në rritje në krahasim me ato të vitit 2008. "Për vepra të korrupsionit për vitin 2009, nga analiza e treguesve statistikorë evidentohen tendenca në rritje e procedimeve të regjistruara për këto vepra penale.
Për vitin 2009, janë ndjekur penalisht 129 procedime, me 89 të pandehur, prej 53 të cilëve është ngritur akuzë në gjykatë, ku ka përfunduar gjykimi dhe janë dënuar 36 persona ndërsa për të tjerët pritet gjykimi.
Personat e hetuar dhe dënuar, janë funksionarë publikë të niveleve të ndryshme, nga nëpunës të thjeshtë, të zgjedhur vendorë e deri te nëpunës të lartë në institucionet qendrore",-thuhet në raport. Gjithashtu, në raport evidentohet se administrata publike apo nëpunësit publikë në kryeqytet, zënë vendin e parë në raportin e kryeprokurores Rama në lidhje me kryerjen e veprës penale të "korrupsionit".
Në kohën kur ka një rritje të procedimeve penale për korrupsion, vihet re tendenca në ulje në numrin e personave të dërguar për hetim dhe gjykim në krahasim me 2008.
Gjithashtu, në raport evidentohet edhe rritja e procedimeve penale për akuzat e "pastrimit të parave" në krahasim me vitin 2008. "Për këtë vepër penale, në vitin 2009 janë ndjekur penalisht 54 procedime, prej të cilave vetëm një është dërguar i pandehur në gjyq ku edhe është dënuar.
Hetimet vazhdojnë për 35 procedime të tjera nga njësitë e Task-Forcës së Antikrimit Ekonomik-financiar të ngritura në shtatë qarqe të vendit"-thuhet në raportin mbi kriminalitetin në vend gjatë vitit 2009.
Megjithëse nëpër zyrat qeveritare propagandohet se po luftohet korrupsioni, sipas raportit të kryeprokurores Rama, strukturat përkatëse të Policisë gjatë vitit të kaluar kanë referuar shumë më pak çështje për hetim të krahasuara me vitin 2008.
"Gjatë vitit 2009, Policia ka referuar në Prokurori 14.337 kallëzime për persona të niveleve dhe akuzave të ndryshme, ndërsa gjatë vitit 2008, Policia ka referuar në prokurori 14.529 kallëzime"-thuhet në raport. Më tej në të theksohet se se ka rënë ndjeshëm nr. i kallëzimeve nga nëpunësit publikë në krahasim me vitin 2008.
"Në vitin 2009, nëpunësit publikë kanë referuar në prokurori 905 kallëzime penale, ndërkohë gjatë vitit 2008 ata kanë deponuar pranë institucionit të akuzës 1202 kallëzime.
Kjo ulje vërehet edhe ndaj punonjësve të sektorit të shëndetësisë, i cili vlerësohet me një nivel të lartë korrupsioni. Për këtë sektor gjatë vitit të shkuar është është deponuar një kallëzim, ndërsa gjatë 2008 janë referuar pesë kallëzime penale"-thuhet në raport, duke të krijuar përshtypjen se kemi një rënie të besimit të qytetarëve tek drejtësia.
Ndërkaq, sa i përket drogës, prokuroria thekson se është vënë re një rritje e numrit i procedimeve penale në krahasim me vitin 2008, për veprën penale të "prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike" si dhe atë të "kultivimit të narkotikëve".
VJEDHJET E PASURISË
Shqetësuese për Prokurorinë e Përgjithshme është edhe rritja e numrit të procedimeve për krimin e vjedhjes së pasurisë së qytetarëve dhe veprës penale të "mashtrimeve" në krahasim me vitin 2008. "Grup veprat penale kundër pasurisë dhe sferën ekonomike në përgjithësi janë me tendencë rritjeje dhe në mënyrë të veçantë veprat penale të vjedhjes, grabitjes së bankave dhe arkave të kursimeve, vjedhjes me armë, mashtrimit etj. Kjo tendencë rritjesh të këtyre veprave penale, vjen si pasojë e faktorëve socialë dhe ekonomikë",-thuhet në raportin e firmosur nga kryeprokurorja Rama.
Përplasja Prokurori- Ministria e Drejtësisë
Në raportin e Prokurorisë mbi gjendjen e kriminalitetit në vitin 2009, nënvizohet fakti edhe i kontrollit që Ministria e Drejtësisë ushtroi ndaj punës së Prokurorisë së Tiranës për vendimet e mosfillimit dhe pushimit të procedimeve penale, si dhe për inspektimin tematik për raste të veçanta në 21 prokuroritë e vendit.
Sipas raportit, në vitin 2009 Ministria e Drejtësisë ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme raportin e kontrollit të realizuar në prokurorinë e kryeqytetit gjatë vitit 2008.
"Nga raporti i paraqitur rezulton se inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë kontrolluar në këtë prokurori 4982 fashikuj për vendimet e mosfillimit të hetimeve dhe pushimeve të procedimeve penale. Nga ky volum kontrolli, nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë është kontestuar zgjidhja e dhënë nga prokurorët në 280 vendime mosfillimi dhe vendime pushimi të procedimeve penale.
Nga Inpsektorët e Drejtorisë përkatëse pranë Prokurorisë së Përgjithshme, janë shqyrtuar konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë duke kontrolluar me hollësi të gjitha dosjet. Në përfundim të këtij kontrolli është konstatuar se vetëm 47 vendime duheshin shfuqizuar dhe jo 280 sa pretendohente Minitria e Drejtësisë në në raportin e saj,- sqaron prokuroria.
Gjithashtu, gjatë vitit 2009 Ministria e Drejtësisë ushtroi kontroll tematik për çështjet të veçanta në 21 prokuroritë e rretheve, për një total prej 134 çështjesh. "Në përfundim të kontrolleve, Ministria e Drejtësisë ka kundërshtuar zgjidhjet e çështjeve nga prokurorët vetëm për 7 çështje.
Ndërsa, prokurorët e Drejtorisë së Inspektimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, kanë shqyrtuar konkluzionet e Ministrisë së Drejtësisë duke i kontrolluar me hollësi të gjitha dosjet e kontestuara, ku në përfundim është arritur se vetëm një vendim duhet shfuqizuar dhe jo 7"-thuhet në raportin e firmosur nga kryeprokurorja Rama.
Paralelisht me raportin e Prokurores së Përgjitshme, thuhet se Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani ka dorëzuar pranë anëtarëve të Komisionit të Ligjeve dy raportet e kontrollit, sipas versionit të tyre. Kjo pritet të shkaktojë debate në ditën kur kryeprokurorja Rama do të lexojë raportin e saj në Kuvend.
Ulen trafiqet
Sipas raportit, është në ulje kriminaliteti i trafiqeve të ndryshme, edhe pse tendenca e trafikut të femrave vazhdon të kryesojë listën e trafiqeve të paligjshme në nivel kombëtar, i ndjekur nga trafikimi i të miturve, trafikimi i mjeteve motorike, armëve dhe lëndëve narkotike.
Ndërkohë, është në rritje numri i procedimeve penale në krahasim me vitin 2008 i kryerjes së veprës penale të "prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike" si dhe vepra penale e "kultivimit të narkotikëve". Sipas raportit, këto dy veprat e fundit penale, janë në rritje në qytetin e Krujës, vend ku kohët e fundit janë sekuestruar sasira të ndryshme hashashi.
"Nxitimi i policisë për të kryer arrestimin në flagrancë të personave të ndryshëm që transportojnë hashash, jo rrallë herë është bërë pengesë për hetimin e rrjeteve dhe arrestimin e drejtuesve të tyre"-thuhet në raportin e firmosur nga kryeprokurorja Rama.
Pasuritë
Tendencë në rritje të kriminalitetit është edhe rastet e veprës penale të kryer nga funksionarë shtetërorë apo zyrtarë të lartë, të cilët fshehin pasuritë e tyre për shkak se nuk i justifikojnë nga të ardhurat që kanë. Për këto grup personash, gjatë 2009 janë dërguar për hetim dhe gjykim pesë persona.
Falsifikimet
Shqetësimi për Prokurorinë e Përgjithshme është edhe fakti se është rritur numri i procedimeve penale për "Falsifikimi të dokumenteve" dhe "falsifikim të monedhave". Kjo e fundit është në rritje të lartë, pasi vetëm për 2009 janë regjistruar 90 procedime penale
Dëshmitë e rreme
Sipas raportit, janë në rritje edhe veprat penale kundër drejtësisë, si akuzat e "kallëzimeve apo dëshmie të rreme", në krahasim me vitin 2008, pasi numri i procedimeve në nivel kombëtar gjatë 2009 ka arritur në 39 procedime, një rritje prej 30 % nga vitit 2008.
Kriminaliteti në rritje, sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, evidentohet më shumë në Durrës, Krujë, Elbasan, Lushnje, Berat dhe Tiranë.
Janë marr në ndjekje 22.276 procedime penale
Janë regjistruar në prokurori 16910 procedime penale
Janë mbartur nga vitit i kaluar (2008) 4743 procedime penale
Janë rifilluar për hetim 623 procedime penale
Është vendosur mos fillim hetimi për 5679 procedime penale
Janë dërguar në gjyq 6.622 procedime me 8352 të pandehur
Janë shqyrtuar 7547 kërkesa për caktim e masave të sigurisë