E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, 10 vite burg për Shullazin

Akuzohej bashkë me Ergys Ferhatin se kishte dërguar nëpërmjet një linje trafiku 55 kile heroinë në Itali


Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, vendosi të deklarojë fajtorë dy të pandehurit Emiljano Shullazi dhe Ergys Ferhati për akuzën e "trafikim droge" duke i dënuar me nga 10 vite burg secilin.


Kjo masë dënimi, sipas dispozitivit të vendimit, është dhënë pasi të pandehurit Shullazi e Ferhati, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe disa "shokë" të tjerë tashmë të dënuar kanë trafikuar nga Shqipëria në Itali një sasi prej rreth 55 kg heroinë dhe 100 kg përzierës.


Për shkak të aplikimit të procedurave të gjykimit të shkurtuar, të dënuarit kanë përfituar nga një të tretën e uljes së dënimit. Në fund dy të akuzuarit janë dënuar me vendim të formës së prerë me nga shtatë vite burg, për akuzat e trafikimit të drogës në bashkëpunim.


Sasia e drogës për të cilën u dënuan personat, është sekuestruar në Itali, ku janë arrestuar njëkohësisht edhe "korrierët" e mallit që kalonte nga porti i Durrësit drejt porteve të shtetit fqinj, Italisë.


Pak javë më parë, Gjykata e shkallës së parë të Krimeve të Rënda, kishte vendosur dënimin e të akuzuarve me nga 11 vite burg. Në shkallën e parë, prokurori i çështjes gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kishte kërkuar që dy të pandehurit, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të dënoheshin me nga 8 vjet e 8 muaj burg secili.


Sipas gjykatës, të pandehurit në bashkëpunim me persona të tjerë, siguronin drogën nga Turqia me ndihmën e një "furnizuesi" me emrin Mehmet dhe më pas nga Shqipëria e dërgonin atë në laboratorin e përzierjes në Milano.


Brenda një viti, autoritetet italiane kanë mundur të sekuestrojnë rreth 54.4 kg heroinë dhe 100 kg lëndë e përdorur për përzierës droge që transportohej nga korrierë shqiptarë, kroatë, turq, italianë e gjermanë. Kjo sasi droge është dërguar nga dy grupe nga Shqipëria, por në role të ndryshme dhe që furnizoheshin nga i njëjti person në shtetin turk me emrin Mehmet. Droga lëvizte në itinerarin Turqi-Bullgari-Maqedoni- Shqipëri, e më pas dërgohej në Itali me transportues të ndryshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›