E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Qeveria, trafik armësh me Iranin

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme gjatë hetimit 12- mujor për tragjedinë e Gërdecit, ka zbuluar një sërë dokumentesh në zyrën e ish-drejtorit të ndërmarrjes shtetërore MEICO, e drejtuar nga i pandehuri Ylli Pinari për shitjen e sasive të ndryshme të armëve dhe municioneve Republikës Islamike të Iranit.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët theksuan se me këqyrjen e zyrës së ish-drejtorit të MEICO-së në Ministrinë e Mbrojtjes dhe kompjuterit të tij të punës është provuar se në rrugë legale, qeveria shqiptare i ka shitur armë shtetit iranian në vitin 2006.

Gjithashtu, këto burime konfirmuan se një shitje e tillë legale, është provuar edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, për avionin transportues me dy motorë i tipi "IL 76/HN 76007" me një ngarkesë prej rreth 50 ton mortajash të tipit 82 mm.

"Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se ndërmarrja MEICO ka kryer disa shitje legale me vende të ndryshme, ndër ato edhe me Republikën Islamike të Iranit, ku është provuar, se drejt këtij shteti janë nisur me një avion transporti plot 9996 predha të mortajave të tipit 82 mm.

Kjo ngarkese me rreth 50 tonë predha është ngarkuar mëngjesin e hershëm të 6 marsit 2006 në hangarët e MIG-ve të Forcave Ajrore në Rinas"- thuhet nga burimet.


Sipas tyre, kjo ngarkesë me predha është provuar edhe me dëshmitë e disa drejtues ushtarakëve të kësaj baze, të cilët kanë konfirmuar se në datat 3, 4 dhe 5 mars 2006, në hangarët e MIG-ve në Rinas disa kamionë të Forcave të Armatosura kishin sjellë nga depoja e ushtrisë në Shmil një sasi mortajash që më pas janë nisur drejt Iranit.


Gjithashtu, burimet pranë prokurorisë, shtuan se nuk ka qenë kjo ngarkesa e parë që MEICO ka nisur në drejtim të Iranit, dyshohet se që nga vitit 2005 e deri në mars 2006 janë dërguar rreth 10 ngarkesa të tilla.

Sipas prokurorisë, dyshohet se shumica e këtyre predhave të transportuara drejt Iranit mund të kenë ardhur nga Mali i Zi dhe që më pas i janë shitur Republikës Islamike të Iranit. Shteti malazez në atë kohë nuk kishte ratifikuar marrëveshjen e shit-blerjes ndërkombëtare të armëve.

Këto burime saktësuan, se 1 mijë predhat e gjetura në magazinat e MEICO-së në fshatin Memaj të Durrësit, mendohet se ishin në pritje të eksportimit të tyre për jashtë Shqipërisë nën drejtimin e ish-drejtorit Pinari.

Ky i fundit tashmë është i pandehur i dosjes së tragjedisë së Gërdecit dhe akuzohet për "vrasjen në rrethana cilësuese të një apo më shumë personave" në bashkëpunim me Mihal Delijorgjin, Dritan Minxholin e Sokol Ngjeçin.

Sipas prokurorisë, 1666 arka me municione që janë sjellë në bazën ajrore të Rinasit me datat 3, 4 dhe 5 mars të vitit 2006 janë riambalazhuar në 9996 predha mortajash të tipit 82 mm. Këto lloj mortajash, sipas specialistëve të ushtrisë, bëjnë pjesë në ato armë zjarri që bëjnë qitje në distancën deri në katër kilometra.

Sipas akuzës, ka qenë mëngjesi i datës 6 mars 2006, kur në hyrje të hangarëve të MIG-ava në Rinas, është afruar avioni transportues me dy motorë i tipit "IL 76 HN 76007" me ngjyrë të bardhë me pjesëtarë të ekuipazhit shtetas ukrainas që flisnin rusisht, ku është ngarkuar me 9996 predha të tipit 82 mm me destinacion Republikën Islamike të Iranit.

Mësohet se gjithë kjo procedurë ngarkimi është ndjekur edhe nga i pandehuri Ylli Pinari.

Ndërkaq, në drejtim të Iranit, sipas hetuesve, janë nisur edhe fishekë në sasi të konsiderueshme. Ndërkaq sipas hetuesve një sasi disa herë më e madhe fishekësh të kalibrit të lehtë janë shitur në drejtim të Gjeorgjisë nga ish- drejtuesit e MEICO-s.


 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›