E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat: Bizneset, të lira për të përfituar nga amnistia

Autoritetet thonë se bizneset në proces ankimimi në gjykatë, nuk pengohen për të përfituar amnisti

TIRANË - Autoritete Doganore reaguan dje mbi pretendimet e komunitetit të biznesit, mbi zbatimin e udhëzimit nr. 33, datë 27 tetor 2008, mbi amnistinë fiskale.

Sipas zyrtarëve të doganave, udhëzimi përcakton qartë se subjektet në proces gjyqësor mund të përfitojnë nga kjo amnisti dhe bizneset që janë në proces animimi, kanë të drejtë të aplikojnë për faljen e gjobave dhe kamatëvonesave.

Të kontaktuara nga "Shekulli", duke iu referuar edhe udhëzimit të mësipërm, ato bëjnë të ditur se subjektet debitorë, të cilët janë në proces gjyqësor, përfitojnë nga falja e gjobave vetëm për diferencën e papaguar, ndërsa kur debitori është në proces gjyqësor, proces ky, i cili ka filluar pa u plotësuar kushtëzimet e nenit 289 të Kodit Doganor, i falen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që të paguhet principali brenda afateve të parashikuara në ligj.

"Për sa më sipër, shprehemi se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore apo nënligjore që të pengojë personat debitorë për të aplikuar dhe për të përfituar falje, në rastet kur këto janë në procese gjyqësore,"- citojnë burime zyrtare.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ligji "Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore", nuk i shtrin efektet e tij në rastet kur gjykata është shprehur me vendim të formës së prerë, në lidhje me gjobat dhe kamatëvonesat e bizneseve.

Në një letër të hapur, Dhoma Amerikane e Tregtisë, akuzoi dje administratën tatimore dhe atë doganore, se po keqinterpretojnë ligjin për amnistinë fiskale, duke u hequr bizneseve mundësinë për të përfituar nga falja e detyrimeve. Sipas tyre, ky interpretim i ligjit dhe udhëzimit, bie në kundërshtim me qëllimin e autoriteteve që kanë hartuar ligjin dhe udhëzimin.

"Në rast se do të kishte ndonjë detyrim për të tërhequr apelimin administrativ apo gjyqësor, kjo gjë duhej të ishte e përcaktuar shprehimisht në ligj",- shkruhej në letrën e dy ditëve më parë, drejtuar ministrit të Financave.


Aplikimi


Personi debitor, i cili kërkon të përfitojë nga ligji Nr. 9986, datë 11.09.2008, "Për faljen e detyrimeve doganore dhe tatimore", duhet të aplikojë pranë Degës Doganore përkatëse, e cila ka nxjerrë vendimin për penalizimin e subjektit.

Pas aplikimit, verifikimi i mëtejshëm, nëse personi mund të jetë ose jo subjekt i faljes, do të shqyrtohet nga Administrata Doganore, në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›